Nga Agim Vuniqi

Rreziku i ndarjes – destabilizim i sigurisë

Përpjekjet për ndarjen e Kosovës nuk janë ide naive apo kreative për zgjidhje politike – ato janë plane të rrezikshme që do të sjellnin shpërngulje popullatash, përplasje ndëretnike dhe mundësi reale për shpërthime dhune në Ballkan. Është një kthim prapa, në një skenar tragjik të viteve ‘90.

Ujmani, një pikë strategjike nën kërcënim

Serbia në mënyrë të përsëritur ka kërcënuar me sabotim në Liqenin e Ujmanit – një nga resurset më të rëndësishme hidroenergjetike të Kosovës. Penda në Zubin Potok, ndërtuar në lumin Ibër, me kapacitet prej 19 MW, është një objekt jetik për sigurinë kombëtare dhe infrastrukturore të vendit. Vetë ekzistenca e këtyre kërcënimeve është formë e luftës hibride dhe psikologjike.

 Retorika destabilizuese e Serbisë zyrtare

Deklaratat e Vuçiqit, Daçiqit dhe Dodikut nuk janë fjalë të rastit, por pjesë e një strategjie që mban Kosovën peng. Që nga viti 2011 e deri sot, Serbia ka përdorur çdo mjet për të bllokuar konsolidimin e shtetësisë së Kosovës – qoftë nëpërmjet strukturave ilegale, shpërndarjes së fondeve të qeverisë serbe në veri, apo kërcënimeve të drejtpërdrejta.

Banja (Banska) shembull i rrezikut permanent

Më 24 shtator 2023, grupet paramilitare serbe, të armatosura dhe të stërvitura, sulmuan Policinë e Kosovës. Ky ishte një akt terrorist me përkrahje logjistike nga strukturat e shtetit serb. Edhe pse reagimet ndërkombëtare ishin të menjëhershme, mungoi vendosmëria për sanksione të prekshme ndaj Serbisë – çka inkurajon rikthimin e skenarëve të dhunës.

Politika e dyfishtë e Serbisë

Serbia vazhdon të luajë në dy binarë: njërën dorë e zgjat drejt Brukselit, tjetrën e shtrin drejt Moskës. Përmes Kishës Ortodokse, përkrahësve të “riatdhesimit shpirtëror” në Rusi, dhe retorikës së përçarjes, Beogradi përpiqet ta mbajë rajonin nën ndikimin e një politike të stërvjetëruar hegjemoniste. Modelet destabilizuese të përdorura në Donbas e Krime po përpiqen të eksportohen në veri të Kosovës.

SHBA dhe NATO – mbështetja qëndron

Politika e jashtme e SHBA-së për Kosovën ka qenë gjithmonë e qartë dhe e qëndrueshme. Intervenimi i NATO-s më 1999, i udhëhequr nga SHBA, ndodhi për të ndalur spastrimin etnik nga regjimi i Millosheviqit. Kjo ndërhyrje u bazua në Kapitullin VII të Kartës së OKB-së, për të ruajtur paqen ndërkombëtare.

Korespondentja e CNN-it, Suzanne Malveaux, në një raportim nga Shtëpia e Bardhë, kishte deklaruar qartë: “Kosova është çështje amerikane – trupat që ndodhen atje janë amerikane, jo ruse.” Edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) e ka vërtetuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Shoqëria serbe dhe refuzimi i multietnicitetit

Sondazhet e opinionit publik në Serbi tregojnë një normë shqetësuese të urrejtjes etnike. Mbi 90% e serbëve deklarojnë se nuk dëshirojnë të jetojnë në një shoqëri multietnike. Ndërkohë, kriminelët e luftës vazhdojnë të glorifikohen si “heronj kombëtarë” në Mitrovicën Veriore dhe Graçanicë, ndërsa qytetarët shqiptarë dhe komunitetet tjera jetojnë në frikë dhe pasiguri.

Decentralizimi nuk do të duhej të nënkuptonte ndarjen, por realisht a është ashtu?

Decentralizimi është konceptuar për përfshirje të komuniteteve në qeverisje lokale, jo si prelud për ndarje. Çdo keqinterpretim që vjen nga Beogradi ose strukturat paralele në veri është një përpjekje e qëllimshme për destabilizim. Shpresa për ndarje, nën etiketën e “korrigjimit të kufijve”, është në fakt përpjekje për zhbërje të shtetësisë së Kosovës. 

Koha për njohje dhe përgjegjësi

Serbia, një nga shkaktaret historike të luftërave në Ballkan, nuk mund të lejohet të përsërisë ciklin e saj destabilizues. Asnjë shtet, nuk përfiton nga tensionet në rajon. Qëndrueshmëria në Ballkan është në interes të përbashkët. Çdo devijim nga rruga e integrimit europian është hap mbrapa.

Kosova është një realitet politik dhe juridik i pakthyeshëm. Çdo vonesë në njohjen e këtij realiteti është një vonesë për paqen. Korrigjimi i kufijve është term i rrezikshëm – në thelb, ai është mohimi i kufijve dhe i shtetit.

Nëse ka vullnet politik, mund të ketë dialog; nëse ka drejtësi, mund të ketë stabilitet. Dhe nëse ka njohje reciproke, atëherë mund të ketë paqe të qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor.

By