Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, ka mbështetur shtytjen e Britanisë së Madhe për punësimin me bazë meritash në Kosovë, duke thënë se kjo çështje është kritike për të siguruar prosperitet për Kosovën, tranasmeton MekuliPress.

“Mbështesim plotësisht shtytjen e Mbretërisë së Bashkuar për punësimin me bazë meritash – kjo çështje është kritike për të siguruar prosperitet për Kosovën”, shkruan diplomati amerikan në llogarinë e tij në Twitter.

Ndryshe, Ambasada britanike përmes një reagimi për media ka shprehur zhgënjimin lidhur me vendimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës të datës 28 shkurt, për mos-votimin e asnjërit prej kandidatëve të rekomanduar nga partneri zbatues i Projektit të Rekrutimit në pozitën e Kryesuesit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE).

“Dështimi i deputetëve të votojnë njërin nga kandidatët e rekomanduar, ka rezultuar me ri-shpalljen e konkursit për këtë pozitë. Andaj, ne publikisht njoftojmë se projekti ynë nuk do të mbështesë ri-përsëritjen e procesit rekrutues për pozitën e njëjtë të Kryesuesit të Bordit të ZRRE-së. Ambasada Britanike është shumë e kujdesshme se si i shpenzon paratë e taksa-paguesve Britanikë.  Ne nuk do të financojmë procese rekrutuese shtesë, kur nuk ka arsye përse ato të përsëriten përveç mungesës së vullnetit për të emëruar kandidatë të përgatitur”, thuhet në reagim.

Kjo ambasadë, thekson se kandidatët e rekomanduar ishin përzgjedhur përmes një procesi të mirë-strukturuar, profesional dhe meritokratik.

Në rastin e Komisionit për Ndihmë Shtetërore, Ambasada britanike thotë se deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë emëruar pesë kandidatët e rekomanduar nga partneri zbatues, që tregon se kur ka vullnet, emërimet mund të bëhen bazuar në meritë.
/MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress