I dërguari Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka deklaruar se është sukses arritja e marrëveshjes për targat në Bruksel në mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një konferencë për media, Escobar ka deklaruar se pas marrëveshjes dhe vendosjes në veri, KFOR nuk do t’i marrë kompetencat e organeve vendore të sigurisë.

Ky reagim i tij erdhi pasi në marrëveshjen e publikuar sot të arritur në Bruksel theksohet se të shtunën kur edhe do të bëhet largimi i barrikadave nga pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak do të largohen edhe Njësitë e Specializuara, meqë rast për dy javë pritet që në këto pika të vendoset KFOR-i.

“Kemi rrugë të gjatë përpara në dialog. I japim mbështetje Lajçakut dhe ekipit të tij për një zgjidhje konstruktive. Është e drejtë e qeverisë së Kosovës që zbatojë reciprocitetin. Roli i KFOR-it nuk është të marrë kompetencat e autoriteteve vendore por të sigurohet funksionimi i rregullt i pikave kufitare”, deklaroi ai.

Ndryshe Escobar ishte i dërguari i Amerikës në Bruksel gjatë ditës së djeshme dhe sot kur edhe u zhvilluan diskutimet në mes palës kosovare dhe asaj serbe me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian lidhur me vendosjen e reciprocitetit nga Kosova drejt Serbisë sa i përket targave të automjeteve.