Kosova me propozim unik për simbolin e gjenocidit

Aktivisti dhe ish i burgosuri politik Bardhyl Mahmuti, që tashmë udhëheq me Qendrën “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur”, i ka dhënë vetes një detyrë të re. Në kuadër të aktiviteteve për dokumentimin e gjenocidit të kryer ndaj qytetarëve të Kosovës nga ana e institucioneve shtetërore të Serbisë, Qendra ka filluar me kërkesa konkrete në institucionet e Kosovës që të përzgjedhin lulëkuqen me katër petale si simbol të gjenocidit të kryer në Kosovë. Kjo fushatë ka gëzuar një mbështetje të gjerë. Në një intervistë për FrontOnline, Mahmuti ka dhënë një përgjigje zërave se kjo lulëkuqe është simbol edhe i vendeve tjera për të rënit për atdhe dhe nëse kjo është një imitim i logove tjera. Ai ka ka zbërthyer edhee mesazhin e shenjave që përmbanë rrethi brenda petaleve, për të simbolizuar gjenocidin e kryer nga ana e Serbisë në Kosovë.

Frontonline, 17 dhjetor – 

Më 16 nëntor Qendra “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur” kërkoi nga institucionet shtetërore të Kosovës dhe nga forcat politike të vendit që të miratojnë lulëkuqen me katër petale si simbol të gjenocidit në Kosovë. Udhëheqësi i kësaj qendre, z. Bardhyl Mahmuti, ka shpjeguar në detaje arsyet e kësaj kërkese, rëndësinë që të kemi një simbol për gjenocidin dhe angazhimin vullnetar që po bëjnë për informimin e drejtë dhe ndriçimin e plotë të gjenocidit në Kosovë. Propozimi për simbolin e gjenocidit, sipas Mahmutit është bërë nga veprimtari Adnan Asllani, i cili ka disajnuar edhe amblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.  

FrontOnline: Z. Mahmuti, në disa shtete të botës lulëkuqja përdoret si simbol për përkujtimin e të rënëve për atdhe. Pse përzgjodhët si simbol lulëkuqen e jo lulëgjaken, që njihet edhe me emrin lule bozhureje?

Bardhyl Mahmuti: Para se të përcaktohemi për lulëkuqen si logo të Qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur”, janë analizuar hollësisht të gjitha propozimet, në mesin e të cilave ka qenë edhe propozimi për lulëgjaken. Duke pasur parasysh se me dokumentet e të Drejtës penale ndërkombëtare vrasjet, dhuna seksuale, spastrimi etnik dhe shkatërrimet e shtëpive, të shkollave, të shtëpive kulturore, të bibliotekave, të institucioneve shëndetësore dhe të objekteve të kultit fetar hyjnë në kategorinë e juridike të gjenocidit vetëm nëse këto vepra kriminale janë të drejtuara qëllimisht për të shkatërruar, tërësisht ose pjesërisht, një grup të caktuar kombëtar, etnik, racor apo religjioz, si të tillë, ne përzgjodhëm lulëkuqen. Kjo, për faktin se ka ngjyrat kuq e zi, me të cilat identifikohen shqiptarët kudo qofshin në botë. Petalet e lule bozhurit janë të kuqe, por theket e saj janë me ngjyrë të verdhë.

FrontOnline: I kujt ishte ky propozim?

Bardhyl Mahmuti: Propozimi ishte i  z. Adnan Asllanit për përzgjedhjen e lules që ka ngjyrat tona kombëtare dhe përputhej me argumentin se plani gjenocidar i Serbisë synonte shkatërrimin e shqiptarëve si grup i veçantë kombëtar, etnik dhe fetar, i ndryshëm nga serbët.

FrontOnline: A ka rrezik që ky simbol të shihet si imitim i lulëkuqeve të shteteve të ndryshme?

Bardhyl Mahmuti: Jo, absolutisht jo. Nuk ekziston një rrezik i tillë. Jo vetëm nga fakti se askush nuk ka të drejtë ekskluzive të përdorë një lule të caktuar, por lulëkuqja me katër petale dallon nga të gjitha lulëkuqet-simbol të vendeve të ndryshme.

 

FrontOnline: Në çka dallon, sepse, fundi i fundit, ajo mbetet lulëkuqe?

Bardhyl Mahmuti: Dallojnë tërësisht dhe në shumë aspekte. Nëse përqendroni vëmendjen në ngjyrën e lulëkuqes, do të shihni se në dallim nga lulëkuqja-simbol i SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, Kanadasë, Skocisë, Zelandës së Re, nuancat e ngjyrës së kuqe në simbolin tonë janë nuanca e ngjyrës së kuqe të flamurit tonë kombëtar.

FrontOnline: Po figurat që vërehen tek “zemra e lulëkuqes”?

Bardhyl Mahmuti: Në simbolin e gjenocidit në Kosovë dallon pra edhe “zemra e lulëkuqes”. Në vend të kokrrave të zeza të farës së lulëkuqes, në simbolin tonë janë prezantuar figura burrash, grash, djemsh dhe vajzash, për të kujtuar njerëzit e të gjitha moshave dhe të dy gjinive që ishin viktima të këtij gjenocidi. Për dallim nga petalet e lulëkuqeve-simbol të vendeve të tjera, që nuk janë të specifikuara, katër petalet e lulëkuqes në simbolin e dizajnuar nga Adnan Asllani paraqesin katër forma të akteve gjenocidare, që Serbia e zbatoi gjatë luftës së fundit në Kosovë.

FrontOnline: Cilat janë ato forma gjenocidi që paraqiten në katër petale?

Bardhyl Mahmuti: E para janë vrasjet. Për të përfshirë mbi dhjetë mijë civilë shqiptarë të vrarë dhe të gjymtuar, të të gjitha moshave dhe gjinive, e dyta është dhuna seksuale, për të përfshirë mbi njëzet mijë viktima të dhunës seksuale, e treta është spastrimi etnik që përfshirë rreth një milion viktima të spastrimit etnik dhe e katërta është shkatërrimi i objekteve që lidhen me përkatësinë etnike dhe identitetin shqiptar.

Këtu përfshihet shkatërrimi në vendbanimet shqiptare të 100589 shtëpive, të 358 shkollave, të 30 shtëpive kulturore, të 93 bibliotekave, të 123 institucioneve shëndetësore dhe të 220 objekteve të kultit fetar (215 xhami, teqe, tyrbe dhe 5 kisha katolike).

FrontOnline: Petalet e lulëkuqes në këtë simbol janë të prera. Çka nënkupton kjo?

Bardhyl Mahmuti: E vërtetë, petalet e lulëkuqes në këtë simbol janë të prera në atë formë që të transmetojnë mesazhin se kemi të bëjmë me plagë të hapura, nga rrjedh gjaku i pafajshëm i viktimave të gjenocidit.

FrontOnline: Pse petalet janë të vendosura në formën e shkronjës X ?

Bardhyl Mahmuti: Edhe kjo ka një mesazh. Petalet e simbolit tonë janë të vendosura në formë të shkronjës X, për arsye se gjatë luftës, në disa vendbanime ku popullsia ishte e përzier në aspektin e përkatësisë etnike, okupatorët serbë kishin shënjuar shtëpitë e shqiptarëve me një X, me qëllim që të udhëzoheshin forcat e armatosura serbe drejt vendeve ku duhej të kryheshin krimet.

FrontOnline: Në “zemër” të simbolit që propozon Qendra  janë viktimat e gjenocidit. A është e rastësishme vendosja në rreth e figurave të burrave, grave, djemve dhe vajzave që pasqyrojnë viktimat e këtij krimi?

Bardhyl Mahmuti: Në aspektin figurativ, rrethi simbolizon bashkimin e fuqishëm të njerëzve që kanë ide të njëjta, interesa të njëjta, qëllime të njëjta…Vendosja në rreth e viktimave të gjenocidit në Kosovë nxjerr në pah domosdoshmërinë e bashkimit për të ndriçuar në përmasa botërore tragjedinë që ka përjetuar populli shqiptar i Kosovës gjatë luftës së fundit, si parakusht i ngadhënjimit të drejtësisë. Në të kundërtën, plagët tona do të mbeten të hapura dhe vuajtjet do të jenë ciklike, pambarimisht, në këtë rreth tmerri!

 

FrontOnline: Lulëkuqja që ju keni propozuar për simbol unik të gjenocidit të Kosovës është logo e qendrës suaj. Nëse institucionet shtetërore miratojnë kërkesën tuaj, atëherë çka do të bëni ju? Do të mbeteni pa logo apo do të vazhdoni të identifikoheni me logon aktuale?

Bardhyl Mahmuti: Fillimisht shfrytëzoj rastin të falënderoj të gjithë ata personalitete të jetës politike, kulturore dhe artistike në Kosovë, Maqedoni të Veriut, në Shqipëri dhe anekënd botës që kanë përkrahur iniciativën tonë. Nga momenti kur ky simbol zyrtarizohet si simbol unik i gjenocidit në Kosovë, Qendra “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur” do të mendoj për një logo tjetër, sepse atëherë lulëkuqja me katër petale shndërrohet në simbol unik, që bashkon të gjithë shqiptarët në përkujtimin e kësaj tragjedie kombëtare që na ka shkaktuar Serbia.

1200 Genève

E-Mail: info@kosovogenocide.com Online: www.kosovogenocide.com

PRESIDENTES SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

KRYEMINISTRIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

PARTIVE POLITIKE TË KOSOVËS

KËRKESË

 

LULËKUQJA ME KATËR PETALE TË BËHET SIMBOL UNIK PËRKUJTIMOR I GJENOCIDIT NË KOSOVË

 

ARSYETIM:

 

Në disa vende të botës, së paku prej një shekulli, lulëkuqet kanë shërbyer si simbol për të përkujtuar të rënët gjatë luftërave anekënd globit. Kështu, për shembull, në Britaninë e Madhe dhe në disa vende të Komonuelthit, lulëkuqja, me ngjyrën e saj të gjakut, është simbol i përkujtimit të luftëtarëve të rënë në fushëbeteja, veçanërisht të rënëve gjatë Luftës së Parë Botërore, dhe i solidarizimit me familjet e tyre. Edhe kanadezët e kanë përcaktuar këtë lule si simbol të premtimit, që do t’i përkujtojnë dhe që nuk do t’i harrojnë kurrë, ata të cilët u sakrifikuan për lirinë e vendit. Përkujtimi i të rënëve në Kanada bëhet çdo vit në orën 11:00, në ditën e 11-të të muajit të 11-të.

 

 

Që nga viti 1922, edhe Franca, më 11 nëntor të çdo viti përkujton viktimat e Luftës së Parë Botërore. Francezët  kanë zgjedhur lulen e kokoçelit të kaltër, për arsye të ngjyrës së kaltër që kishin uniformat e ushtarëve të vrarë, si simbol nderimi ndaj të gjithë atyre që kishin dhënë jetën për lirinë e Francës.

Madje edhe në përkujtim të viktimave të Luftës së Dytë Botërore, që u përcaktua të bëhet çdo vit më datë 8 maj, kokoçeli i kaltër mbeti simboli kombëtar i Francës.

Pas konsultimeve të shumta, Qendra “Gjenocidi në Kosovë – plagë e hapur” mbështeti idenë e Adnan Asllanit, që lulëkuqja të jetë simbol i viktimave të gjenocidit në Kosovë. Në dallim nga lulëkuqet që përdoren si simbol në shumë vende të tjera, katër petalet e lulëkuqes në logon e dizajnuar prej tij paraqesin katër format e akteve gjenocidare, që Serbia zbatoi në Kosovë:

 

  1. vrasjen,
  2. dhunën seksuale,
  3. spastrimin etnik dhe
  4. shkatërrimin e objekteve që lidhen me përkatësinë etnike dhe identitetin shqiptar.

 

Përveç domethënies së veçantë që ka çdo petal i simbolit tonë dhe që e dallon nga forma e petaleve që kanë lulëkuqet-simbol të vendeve të tjera, në simbolin e gjenocidit në Kosovë dallon edhe “zemra e lulëkuqes”: në vend të kokrrave të zeza të farës së lulëkuqes, në logon tonë janë paraqitur figura burrash, grash, djemsh dhe vajzash, për të kujtuar njerëzit e të gjitha moshave dhe gjinive, që ishin viktima të këtij gjenocidi.

Petalet e lulëkuqes në këtë logo janë të vendosura në formën e shkronjës X, për arsye se gjatë luftës, në disa vendbanime ku popullsia ishte e përzier në aspektin e përkatësisë etnike, okupatorët serbë kishin shënjuar shtëpitë e shqiptarëve me një X, me qëllim që forcat e armatosura serbe të udhëzoheshin drejt vendeve ku duhej të kryheshin krimet.

Me një fjalë, forma e petaleve dhe figurat e burrave, grave, djemve dhe vajzave simbolizojnë mbi dhjetë mijë civilë shqiptarë të vrarë dhe të gjymtuar, të të gjitha moshave dhe gjinive, mbi njëzet mijë viktima të dhunës seksuale, rreth një milion viktima të spastrimit etnik dhe qindra- mijëra shkatërrimeve që u kryen gjatë zbatimit të gjenocidit në Kosovë.

Si e tillë, mendojmë se kjo logo meriton të jetë simbol i përbashkët i përkujtimit të viktimave të gjenocidit të Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Meqë jemi në prag të 15 janarit, ditës së përkujtimit të gjenocidit në Kosovë, përcaktimi nga institucionet tona shtetërore i një simbol unik, që mishëron këtë tragjedi kombëtare, është mënyra më e mirë për të përçuar mesazhin e unitetit përballë krimit të gjenocidit – plagës së hapur në qenien tonë kombëtare.

Gjenevë, më 16 nëntor 2022

Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur”

Kryetar

Bardhyl Mahmuti

SQARIM NGA z. MAHMUTI:

Sqarim lidhur me propozimin që lulëkuqja me katër petale të jetë simbol i gjenocidit në Kosovë

 

Kërkesa publike drejtuar institucioneve shtetërore dhe politike të Kosovës që lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol i vetëm përkujtimor i gjenocidit në Kosovë, ka gjetur mbështetje të gjithanshme dhe shfrytëzojmë rastin të falënderojmë përzemërsisht të gjithë përkrahësit e kësaj iniciative. Megjithatë nga disa dashamirë na është kërkuar të tregojmë arsyet e përzgjedhjes së lulëkuqes, për ta propozuar si simbol të gjenocidit në Kosovë.

 

Prandaj sqarojmë me sa vijon:

Po bëhet një shekull që në Mbretërinë e Bashkuar, në Kanada, në Skoci, në SHBA dhe në Zelandë të Re, lulëkuqet kanë shërbyer si simbol për t’i përkujtuar të rënët gjatë luftërave anekënd globit dhe secili nga këto shtete demokratike ka përcaktuar një dizajn të veçantë të lulëkuqes, për ta dalluar nga simbolet-lulëkuqe të vendeve të tjera.

 

Po përmendim se edhe popuj të tjerë kanë përzgjedhur lule të ndryshme për simbol të përkujtimit të viktimave. Kështu për shembull, francezët zgjodhën lulen kokoçel i kaltër, për arsye të ngjyrës së kaltër që kishin uniformat e ushtarëve të vrarë, ndërkaq armenët u përcaktuan për lulen mosmëharro (lulja miosotis) për të përkujtuar viktimat e gjenocidit që kanë përjetuar në vitin 1915.

Pasi analizuam propozime të ndryshme, Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur” mbështeti idenë e Adnan Asllanit që lulëkuqja të jetë simbol i viktimave të gjenocidit në Kosovë.

Duke u nisur nga fakti se në përkufizimin e gjenocidit hyjnë aktet kriminale të numëruara në dokumentet e të drejtës penale ndërkombëtare që janë bërë me qëllim që të shkatërrohet tërësisht ose pjesërisht një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar, si i tillë, ne jemi përcaktuar për lulëkuqen që ka ngjyrat kuq e zi të flamurit tonë kombëtar, sepse projekti i gjenocidit në Kosovë kishte për qëllim shkatërrimin e shqiptarëve, si grup kombëtar, i ndryshëm nga serbët.

Pikërisht për këtë arsye ngjyra e petaleve të lulëkuqes që do të simbolizojë gjenocidin në Kosovë dallon nga nuancat e ngjyrave të kuqe që kanë lulëkuqet-simbole të shteteve të lartpërmendura: është ngjyra e gjakut të pafajshëm!

Përveç nuancës së ngjyrës së kuqe të petaleve që e dallon nga ngjyra e petaleve që kanë lulëkuqet-simbol të vendeve të tjera, në simbolin e gjenocidit në Kosovë dallon edhe “zemra e lulëkuqes”: në vend të kokrrave të zeza të farës së lulëkuqes, në logon tonë janë prezantuar figura burrash, grash, djemsh dhe vajzash, për të kujtuar njerëzit e të gjitha moshave dhe të dy gjinive që ishin viktima të këtij gjenocidi.

Në dallim nga lulëkuqet që përdoren si simbol në vendet e lartpërmendura, katër petalet e lulëkuqes në logon e dizajnuar prej tij paraqesin katër forma të akteve gjenocidare, që Serbia e zbatoi në Kosovë:

  1. Vrasje

Për të përfshirë mbi dhjetë mijë civilë shqiptarë të vrarë dhe të gjymtuar, të të gjitha moshave dhe gjinive,

 

  1. Dhuna seksuale

Për të përfshirë mbi njëzet mijë viktima të dhunës seksuale.

  1. Spastrimi etnik

Për të përfshirë rreth një milion viktima të spastrimit etnik.

  1. Shkatërrimi i objekteve që lidhen me përkatësinë etnike dhe identitetin shqiptar

Për të përfshirë shkatërrimi në vendbanimet shqiptare i 100589 shtëpive, i 358 shkollave, i 30 shtëpive kulturore, i 93 bibliotekave, i 123 institucioneve shëndetësore dhe i 220 objekteve të kultit fetar (215 xhami, teqe, tyrbe dhe 5 kisha katolike).

Petalet e lulëkuqes në këtë logo janë të vendosura në formë të shkronjës X, për arsye se gjatë luftës, në disa vendbanime ku popullsia ishte e përzier në aspektin e përkatësisë etnike, okupatorët serbë kishin shënjuar shtëpitë e shqiptarëve me një X, me qëllim që të udhëzoheshin forcat e armatosura serbe drejt vendeve ku duhej të kryheshin krimet.

Me një fjalë, forma e petaleve dhe figurat e burrave, grave, djemve dhe vajzave simbolizojnë mbi dhjetë mijë civilë shqiptarë të vrarë dhe të gjymtuar, të të gjitha moshave dhe të dy gjinive, mbi njëzet mijë viktima të dhunës seksuale, rreth një milion viktima të spastrimit etnik dhe qindra mijëra shkatërrime që u kryen gjatë zbatimit të gjenocidit në Kosovë.

Si e tillë, kjo logo meriton të jetë simbol i përbashkët i përkujtimit të viktimave të gjenocidit të Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës.

11 dhjetor 2022

Kryesia e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur”

Kryetar                                                                                   Zëvendës Kryetar

Bardhyl Mahmuti                                                                   Adnan Asllani