Lëvizja pa viza në zonën Schengen është një realitet për shtetasit e Kosovës. Nga kjo e hënë nuk ka pengesa për udhëtimin drejt vendeve të Bashkimit Europian. Kushdo është pajisur me pasaportë biometrike i jepet mundësia të qëndrojë deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga shtetet anëtare të zonës Schengen.
I vetmi vend që ende i ka të mbyllur kufijtë është Spanja, që nuk e njeh Kosovën dhe pasaportat e saj.
Mediat raportuan lëvizje të shumta në aeroportin “Adem Jashari” të Prishtinës, ku qindra qytetarë kishin planifikuar udhëtimet jashtë, ndërsa në një ceremoni në aeroport, kryeministri Albin Kurti e konsideroi liberalizimin e vizave si heqjen e një padrejtësie
“Ky mëngjes i Vitit të Ri 2024 nuk ka se si t’ia fillojë më mbarë sesa me zgjerimin e të drejtave dhe mundësive të qytetarëve tanë. Kemi pritur shumë gjatë, jemi privuar nga shumë mundësi. Prandaj, kjo është një ditë e rëndësishme, po hiqet një padrejtësi e madhe dhe po fitohet një e drejtë e rëndësishme, e drejta e udhëtimit pa viza në zonën Schengen”, tha Kurti.
Kosova është vendi i fundit i Ballkanit Perëndimor, që përfiton nga lëvizja e lirë në zonën Schengen. Që prej vitit 2018, Komisioni Europian kishte konfirmuar përmbushjen e kushteve, por disa shtete kishin rezerva.
E fundit ishte Franca, që nëpërmjet presidentit Emanuel Makron paralajmëroi anulimin e vendimit për liberalizimit disa muaj më parë nga Tirana.
Në Tetor, kur vizitoi Tiranën Makron shprehu pakënaqësinë për qëndrimin e qeverisë Kurti mbi gjendjen në veri të Kosovës. Plani franko-gjerman nuk kishte marrë një përgjigje të qartë për implementimin, zgjedhjet për krerët e komunave nuk janë mbajtur, ndërsa dialogu Vuçiç-Kurti ishte ndërprerë për shkak të sulmeve të komandos serbe në Banjskë, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.
Në konferencën me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Francës lëshoi një deklaratë që bëri shumë zhurmë, kur tha se “Ne u kemi besuar për çështjen e vizave, por ajo u pezullua nga ana e Francës se kjo ka të bëjë me respektin e fjalës së dhënë dhe fjala nuk është mbajtur”.
Deklarata shkaktoi konfuzion. Deklarata e Makron u interpretua në media sikur anulimi i liberalizimit të vizave ishte bërë fakt. U desh pak kohë të sqarohej se një vendim i tillë nuk ishte në dorë vetëm të Francës.
Që të bëhej një kthim pas për liberalizimin e vizave duheshin vënë në lëvizje një seri mekanizmash brenda Bashkimit Europian.
Të njëjtin kërcënim e kishte marrë më parë edhe Shqipëria. Kur Holanda ankohej për rritjen kriminalitetit shqiptar, u hodh ideja e rivendosjes së regjimit të vizave. Por që kjo të ndodhte, duhej mbështetja nga 2/3 e shteteve të BE.
Eksperienca që kishte pasur në deklaratat e politikanëve të Holandës nuk e pengoi Edi Ramën t’i bënte jehonë mesazhit të Makron dhe ta përforconte idenë se plani për liberalizimin e vizave për Kosovën mund të anulohej.
Rama tha se u ndje “i rrënqethur” nga deklarata e Makron, por e përforcoi deklaratën e të ftuarit duke thënë “do të ishte dramatike që Kosova të humbiste të drejtën e liberalizimit të vizave”.
Edhe në ditët që vijuan, megjithëse ishte sqaruar se deklarata e Makron ishte thjesht shprehje e pakënaqësisë së tij me anë të së cilës i kujtonte Albin Kurtit angazhimet që kishte marrë, Rama vazhdoi duke thënë “duke diskutuar (Makron) më tha që “unë nuk jam i gatshëm që të hap rrugë nëse ata në Prishtinë nuk do t’i hapin rrugë dakordësisë mbi planin franko-gjerman. Ç’kishte parasysh me këtë? Vizat. Natyrisht!”.
Koha nuk i dha të drejtë ngazëllimit të Edi Ramës se Albin Kurti mund të ndëshkohej. Liberalizimi i vizave ka ndodhur dhe sot Rama e ka përshëndetur vendimin me një mesazh në rrjetet sociale.