Kosova po e bën vettingun, po ne?

Para pak javësh shkruajta një për një hipotezë, apo një “skenar konspirativ”, që kishte të bënte me vettingun politik në Kosovë. Sot po vazhdoj ta besoj gjithnë e më shumë atë.

Garda e vjetër politike, që erdhi nga UÇK-ja, pak e nga pak po mendonte se Kosova është pronë e tyre meqë ata kishin luftuar e drejtuar luftën. Ata u nisën drejt Hagës, me ca akuza të dyshimta, por gjithësesi nuk janë në fushën e betejës politike sot. Një artificë juridike u gjet shpejt e shpejt për të rrëzuar një qeveri që mbahej në këmbë me një fije peri. Një ligj për dekriminalizimin la jashtë kandidimit shumë njerëz, mes të cilëve teorikisht edhe Albin Kurtin, por ende jo zyrtarisht deri tani. Por ky i fundit, edhe nëse ndalohet të jetë deputet, nuk ndalohet të jetë kryeministër. Një grua karizmatike dhe e adhuruar nga diplomatët në Prishtinë, Vjosa Osmani, krijon bashkë me Albin Kurtin një çift të cilin, së paku për korrupsion, aksush nuk mund ta akuzojë.

Ata pritet të jenë fituesit e zgjedhjeve dhe Kosova mund të hapë një kapitull të ri, pas të cilin mund të rikthehen të pafajshëm edhe ish drejtuesit e UÇK-së nga Haga.
Vettingu i politikës në Shqipëri iu besua reformës në drejtësi. Por deri tani asnjë autobus nuk po niset nga Tirana drejt burgut “313”. Mesaduket, së shpejti ne nuk do ta kemi as privilegjin që të jemi të parafundit në rajon në treguesit e demokracisë dhe ekonomisë./Mentor Kika/