Edhe pse ende nuk është konfirmuar asnjë rast me koronavirus në Kosovë, institucionet e vendit kanë marrë masa paraprake për çdo rrezik që mund të kanoset

Pas përhapjes së këtij virusi vdekjeprurës, Kosova ka marrë masa edhe në import, ku ka ndaluar importin e hojit të bletëve, që ishte malli i vetëm që hynte në Kosovë nga Kina.

Lamir Thaçi nga AUV, thotë për lajmi.net se Kosova nuk importon produkte ushqimore nga Kina që potencialisht konsiderohen si lëndë përmes të cilave përhapet koronavirusi.
“Republika e Kosovës, nuk importon produkte ushqimore nga Kina, të cilat potencialisht konsiderohen si lëndë përmes të cilave mund të bartet virusi, njëkohësisht nuk kemi importe të kafshëve të gjalla.

I vetmi import ka qenë ushqimi për bletë dhe hojet e bletëve, të cilat i kemi ndaluar menjëherë për import. E kjo padyshim, që na ndihmon që ne t’i shmangemi rrezikut direkt nga vendi i origjinës së virusit, pra nga Kina”, ka thënë Thaçi.

Kujtojmë se deri më tani është raportuar për 33 persona të dyshuar si të prekur nga ky virus vdekjeprurës, analizat e të cilëve kanë rezultuar negative.