Shpallja e rezultatit të zgjedhjeve të gjashtë tetorit do të marrë edhe pak kohë. Kjo pasi që Lëvizja Vetëvendosje sot do të dorëzojë në Gjykatën Supreme edhe një ankesë sa u përket votave të diasporës.

Lëvizja Vetëvendosje po e sheh si përpjekje të kundërligjshme dhe të motivuar politikisht refuzimin për të numëruar në total votat e ardhura nga diaspora.

Kjo pasi që 1806 fletëvotime të mërgatës nuk janë numëruar e për këtë çështje partia e Albin Kurtit është ankuar edhe në PZAP.

Anëtari i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka thënë se me qëllim të kalkulimeve në prapavijë, po vonohet qëllimisht certifikimi i rezultateve përfundimtare.

“Refuzimi për ta zbatuar aktgjykimin e Gjykatës Supreme si nga SKQZ edhe nga PZAP, është qartazi përpjekje e kundërligjshme e motivuar politikisht dhe e koordinuar në mes tyre. Duke ju shërbyer interesave politike të palëve të ndryshme e kalkulimeve në prapavijë, po vonojnë qëllimshëm certifikimin e rezultateve përfundimtare”, ka shtuar ai.

Vetëvendosja për këto vota ishte ankuar fillimisht në PZAP, derisa nga ky organ kishin vendosur se e njëjta ankesë të refuzohet si e pabazuar.

Pas refuzimit nga PZAP-i Vetëvendosja do të drejtohet në Gjykatën Supreme me këtë ankesë.