Jugonostalgjia vs. memorja kolektive Adem Jashari
Ka kohë që ju shmangem kundërpërgjigjeve, me apo pa argumente, qoftë objektive apo se dikush e konsideron subjektivitet. Asht çështje bindjesh. Asht rrjedhë edukate nga statusi i lindun. Asht trushplamje apo edhe binom fuksioni në shoqni – krejt normale në përputhshmëri me rritët tona. Rrjedhat e problemeve në Kosovë, nuk kanë luks kohe me u marë me memoriet kolektive që me *zor* kqyrin me i majtë gjallë, apo se disa marifete duhet me i amnistu deri në lavd. Asht nji kllapë njerëzish që nuk i’a ka idenë fare se çfarë pasojash ka lanë sistemi titist në Kosovë.
Nuk dallon jugonostalgjia asgja me sistemin e Millosheviçit që e ka vazhdu misionin e Titos, të jemi të qartë për gjeneratat që nuk e njohin atë sistem
Ky konstatim, nuk vjen si rrjedhojë bindjesh, po si rrjedhojë faktesh historike. Vetëm dhimbja e shqiptarëve ka distancë kohore si krahasim i të dy etapave shumë të ngjajshme. Asht edhe nji kllapë e vocërr njerëzish që nuk e dinë se nga kush anojnë – ngarendin mbas trendit urban, dhe nji andrre deluzionale se sistemi titist paska pasë sjellë të mira te shqiptarët! Do farë andrrash fantome, që realisht kanë qenë të amballazhume me dekor e mrendi të vujtjeve të njerëzve që kanë psue nga sistemi titist. Asht mediokritet i dijes faktike, që nuk do sqarim nëse ti do t’a kuptosh të kalumen e zhveshun nga trushpërlamjet që mund edhe të jenë të falshme nëse e ardhmja nuk vazhdon me bindje subjektive se çfarë benefite paska pasë sjellë Tito në familjen tande.
Në jetën urbane, flitet për familjarizëm, mentalitet të fisit, apo klanit, si diçka primitive, baliste, kishin me thanë nji kllapë e Prishtinës, derisa nuk preken në seder familjet e atyne që Tito i ka etiketu si elitë shoqnore. Nuk janë doras të kasaphanes që asht ushtru nga vetë Tito, po si mostër trushplamje të kohës që ai ka përdorë pikërisht të ashtuquajtunat “elitë shoqnore” për me fshehë të vërtetën se çfarë në fakt ndodhte me fatin e shumicës së shqiptarëve aso kohe. Ka mjaftu që këto familje, të privilegjume aso kohe, me i përdorë si instrument para botës se, shihni sa mirë jetojnë shqiptarët në Kosovë. Besoj e falshme për të gjitha familjet “elitë” e kohës, që nuk kanë qenë në dijeni se janë të përdorun. Pra, në thelb, këto familje nuk kanë qenë ajka e dijes në Kosovë, sa kanë qenë instrumente për me i mbulu krimet e sistemit titist. E falshme derisa nuk fillojnë me folë me krekosje aktualisht se i takojnë trungut jugonostalgjik, me do farë andrrash me relativizu sakrificën e familjes Jashari me nji farë sakrifice që paskan pasë dhanë disa njerëz në vakt të Titos.
Për shkak të mentaliteti që asht ndërtu te ne, se familja gjithmonë asht e shejtë, nuk kisha dashtë askend me prekë në norma të mësume apo në antarë të familjes, apo edhe me kërku ngritje vetëdije me i pranu gabimet e trungut familjar. Askush nuk ka faj për të bamat e paraardhësve, sikurse askush nuk ka meritë për lavdi të paraardhësve – dy faktore që në kohë dhe rrethana aktuale na duhet balancë kolektive gjatë interaksioneve njerzore të sotme. Por, POR, të nderum/e intelektual/e, profesor/e, akter/e të shoqnisë civile, hulumtues/e, qysh e deshifroni nji shpërndamje apo pëlqim që ia bani nji shkrimi për kontribut gjatë sistemit jugosllav, format histori gojore, ku autorja jep mendim, citoj:
“…homogjenizimi i diskursit publik përmes ‘kryenarrativës’ rreth kultit të Adem Jasharit mbas luftës, kujtesa kolektive vazhdon të jetë vend i fërkimeve të vazhdueshme. Kjo luftë e mbytur [sic] përqëndrohet mjaft shumë rreth asaj se çka e kush kujtohet e përkujtohet; jetët e kujt janë të vajtueshme, cilat sakrifica të dalluara…”, dhe rrëfimi në veten e dytë vazhdon me rrjedhën e jugonostalgjisë.
Të jem e qartë, nuk e njoh autoren, përveç se i’a kam dëgju emnin nëpër shoqni civile. Asgja personale me te, apo me veprimtarinë e gjyshës së saj, falë konatacionit kohorë. Asgja kundër formatit të këtyre historive gojore, derisa nuk bahen krahasime absurde. Krahasime morbide. Çka asht shqetsuese, përtej hireve me ngritë në diga familjarët, me mentalitet tipik ballkanik, janë nji grup intelektulalësh që e pëlqejnë dhe shpërndajnë këtë shkrim.
Të lutna, a ke mundësi, si hulumtues/e, profesor/e, akter/e e shoqnisë civile, që e ke shpërnda apo aplaudu këtë shkrim, me deshifru citatin e lartëtheksum. Lexo edhe dy apo tre herë po e ndjeve të nevojshme, hulumto, apo krahaso se ku gjenë balancë krahasimi mes veprimtarisë së atyre që kanë shërby nën ombrellë titiste me sakrificën e familjes Jashari.
Si të lexueshëm (shumica që ju pashë se e keni shpërnda këtë shkrim), po e zbusë gjykimin, duke marë parasyshë se shkrimi përmbante referenca të autorëve të huej – trend ky që te shqiptarët ka marë hov me ju dhanë kredibiletet me arsye krejt banale – asht hulumtues/e i/e huej, apo se shkrimi përkthehet anglisht – a e kuptoni se deri ku ka arritë inferioriteti ndaj vetëvetës, e që sa e dhimshme asht që si profesor/e që mësoni breza të ri e shpërndani këtë shkrim?! A jeni në dijeni çfarë devijimi historik ndjellni në gjeneratat pasardhëse, me relativizu sakrificën e Adem Jasharit me sakrificën e individëve që i kanë shërby sistemit titist? A jeni në dijeni se hulumtuesi kur publikon histori të gojëdhanave nuk guxon me dhanë mendim në vetën e parë? Pros and cons, qysh edhe ju e dini, përdoren vetëm për format surveimi. Urdhnoni, realizoni surveime dhe publikoni nëse sakrifica e jugonostalgjisë qenka e barazvleshme me Adem Jasharin.
Hulumtuesi asht zani neutral në shkencë – e dini edhe këtë fakt kush asht shkollu mbas viteve 90. Keni kritiku ndër vite se Kosova nuk ka domain të akreditum për rishikim të hulumtimeve, ndaj shkenca ka ngelë prapa. Asht e çuditshme se si profesor universitar, nuk e harmonizoni nji të tillë. Apo, asht ma e lehtë me i vnue klasë nji webfaqeje, 2.0, a, dhe publiko histori gojëdhanash, mundësisht me ndonjë fjalë anglish apo citat të autorëve të huej, pa i rishiku detajet e neutralitetit të autorit, apo edhe me i rrshitë ndonji mendim krahasues, jugonostalgji vs. Adem Jashari.
Në hapsinë të rrjeteve sociale, shkruej mendime, ndëshko n’t’a thashtë mendja edhe me thupër Adem Jasharin – e editon, e çlyen apo e mbanë dorëshkrimin e parë, nuk ka randësi. Por në portale, që vetë ju profesorët i keni dhanë kredibilitet se janë të besueshme, e që mbesin si arkivë për lexuesit, kujdesi duhet të jetë maksimal. Harro që edhe e ke shpërnda shkrimin, e studentët e tu e lexojnë.
Kur jemi te mendimet, ndoshta keni të drejtë për konatacion “vajtimesh”, sepse familja Jashari nuk asht për vajtim. *Luftën* ja u ka *mbytë*, tu i’a nisë prej Akademisë së Kosovës, vazhdue me kredenciale PhD., profesor, shoqni civile, parti politike të asaj kohe, që edhe sot po i merka malli për Jugosllavi. Për vajtim asht gjendja e sotme dhe tentim devijimi i lavdisë se çfarë ka dhanë familja Jashari për Kosovën, dhe guximi me nxjerrë paralele krahasimi mes familjes Jashari dhe veprimtarëve titistë.

Po fakt, ja u ka mbytë çdo teori, akademi e tentativë shkencore të asaj kohe që çuditërisht pasardhësit e tyne si hallkë zingjirore promovojnë aktualisht jugonostalgji.

Valbona Bajrami, marrë, me leje, nga profili i znj. Bajrami në facebook.
*Titulli i redaksisë MekuliPress