Shkruan: Jehona Berisha

Dinamika, apo siç parapëlqej ta quaj, sindroma tekonologjike, mëtohet se kudo ka krijuar frymë më pak asociale, e kur t’i shtojmë këtu edhe gërshetimin e tradicionales me kushtet e reja të jetesës, problemet ekonomike e politike, pra, të gjitha bashkë kanë prodhuar tek të rinjt një aversion, një koncept negativ për rrethanat dhe persektivën e tyre. Si pasojë qëllimi bjerret, e ai shpie në kriza të reja të vetvetes.

Një pjesë e madhe e të rinjve, në këso situatash, ose kërkon rrugë dytësore, të përkohshme, ose rrugë të përhershme të pavullnetshme për të ‘shpëtuar vetveten’. Politika tona  të gabuara  i kanë kontribuar këtij deekuilibri, si përmes sistemi arsimor ashtu edhe përmes politikave ekonomike, ku në fazën e tranzicionit nuk i është kushtuar vëmendje pasojave të mëvonshme dhe afatgjata që mund të prodhojë veçmas sistemi arsimor i dobët.

Të rinjt janë gjithnjë në kërkim të ndryshimeve, të pavarësisë, të përshtatjes së vetvetes me trendet e reja.

“Nga pikëpamja psikologjike është e qartë se të rinjt vazhdimisht janë në kërkim të identitetit të tyre, për ç’arsye vlerësojnë  shumë të rëndësishme çështjen e perspketivës së tyre si pjesë të identitetit profesional” dhe se në “Në rrethana kur ata vetëdijësohen për perspektivën e zymtë të punësimit dhe karrierës përshkohen nga valët e stresit, që vazhdimisht trondit imazhin e tyre për veten dhe aftësitë personale”.*

‘’Arsimi ndërton kapitalin njerëzor, që përkthehet në rritje ekonomike. Nëse përmirësimet janë më të shpejta, me shumë gjasë, vendet që ndërtojnë një sistem arsimor produktiv kanë më shumë shanse të përmirësojnë nivelin e tyre të jetesës, të ulin varfërinë dhe të ndërtojnë një sistem demokratik qeverisës”, shkruante Tirana Observer vitin e kaluar, duke folur rreth Raportit të Bankës Botërore.

“Sipas vlerësimit të Bankës Botërore në Shqipëri, më shumë se gjysma e studentëve nuk arritën aftësitë minimale në lexim dhe matematikë në testin PISA. Hendeku i aftësive është identifikuar si një problem veçanërisht i rëndë në rajon. Banka thotë se shkollimi zvogëlon shumicën e llojeve të krimit të kryera nga të rriturit, si dhe nivelin e krimeve në adoleshencë si dhe  një krizë mësimi është edhe një krizë morale vlerëson BB. Edukimi shëron një mori sëmundjesh shoqërore. Për individët, ajo promovon punësimin, të ardhurat, shëndetin dhe zvogëlimin e varfërisë. Për shoqëritë, ajo nxit inovacionin, forcon institucionet dhe nxit kohezionin social. Por këto përfitime varen kryesisht në mësim. Shkollimi pa të mësuarit është një mundësi e humbur” thuhet më tutje në këtë artikull.

Para disa vitesh pati përpjekje për ikje masive të kosovarëve në vendet e perëndimit, një dukuri e cila mori vëmendjen edhe të mediave botërore. U tha se shkak i gjithë kësaj ishte akumulimi i pakënaqësive dhe problemeve politike në vend, e veçmas mungesa e punësimit dhe e perspektivës së të rinjve, të cilët përmes rrugëve ilegale kërkonin të migronin jashtë vendit, për një të ardhme më të mirë të tyre.

Mungesën e një vendi pune pas mbarimit të shkollimit, pamundësisë për të ushtruar profesionin, është njëri nga shkaktërët e prodhimit të krizës identitare. Pofesor Dr. Lulzim Murtezani, në librin e tij “Identiteti kulturor i të rinjve dhe modelet e identifikimit’’,  e koncepton si konfuzion identiteti.

Por, të kuptojmë në radhë të parë se çështë ideniteti. ‘Çështja e identitetit të individit ngjason me atë që është themelore në personalitetin e tij si qenie sociale”*.

Pra kur kihet parasysh vijimësia e të menduarit dhe e sjelljes, botëkuptimi për një klimë ‘armiqësore’ dhe përpjekja për të ikur nga vetvetja, nga idetë, nga dëshirat dhe vullneti, pra, mospërmbushja e vetvetes, shpie drejt konceptit të krizës identitare.

Sot më të madhe flitet për problemet në arsim, ose dijen që prodhohet në universitetet tona, flitet si për të papunët, ashtu edhe për njerëz në institucione apo shërbyes civilë që nuk janë në gjendje të kryejn  detyrat e tyre si duhet, për shkak se shumica nuk ushtrojnë profesionin për të cilin janë kualifikuar,  duke përfunduar në ndonjë profesion që as nuk duan por as nuk mund ta kryejn.

Por, të më lejohet që duke hyrë më në thellësi të këtij problemi, të perpiqemi të hyjmë në gjenezën e këtij deekuilibri, natyrisht duke mos përjashtuar edhe shkaqet ekonomike dhe politike, si një nga faktorët e shumtë.

Karshi trendeve të reja, jo vetëm të rinjt por edhe familjet kanë pësuar ‘tronditje’’, për shkak të ndryshimeve sistematike dhe drastike, veçmas në shoqërinë tonë,  sepse  trendet që kanë nisur në vendet me një traditë më të zhvilluar si, ekonomike e arsimore, në një shoqëri më stabile në të gjitha aspektet, shoqëria jonë është dashur që njëherësh dhe shumë shpejt t’i përshtatet këtyre trendeve, e cila ka krijuar një klimë të quajtur ‘dinamike”.

Në këtë klimë, ose në këtë trend ne na duhet t’i rrisim fëmijët, të kultivojmë kulturën e prindërimit, kulturën familjare, e mbi të gjitha ta përshtatim vetveten me këto trende, madje të krijojmë kushte për të rinjt që ata të ndihen vetvetja, të vlersojnë dhe të vlerësohen, e në fund të fundit të shohin dritë në fund të tunelit për veten e tyre.

“Vetëdijësimi për atë kush jemi, çka synojmë në jetë, se a jemi të ngjashëm me të tjerët dhe njëherit deri në ç’farë mase ndryshojmë, përbën të vetëdijesuarit për veten tonë” dhe se ‘një vajzë/ djalë që në mungesë të përvojës dhe sistemit nervor të brishtë, rrezikon të formojë një identitet konfuz, në qoftëse rrethanat familjare dhe më gjerë janë të disfavorshme për të’*.

*Citatet janë marrë nga libri ‘Identiteti kulturor i të rinjve dhe modelet e identifikimit’, të Prof. Dr. Lulzim Murtezanit