Kryeministri i Kosovës foli mbrëmjen e sotme në “Opinion” në Tv Klan edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Kurti u shpreh se qëllimi i Beogradit sa i takon marrëveshjes është cenimi i integritetit territorial. Ai theksoi se në Kosovë rreth 4% e popullsisë janë serbë dhe nëse Asocacioni formohet, atëherë 10 komunat serbe do të kenë nën administrim çerekun e territorit të Kosovës. Sipas Kurtit, “Asocacioni i komunave bëhet një nivel i tretë i pushtetit që përfaqëson serbët karshi Prishtinës, që merr mbështetje nga Beogradi”.

Blendi Fevziu: Çfarë ju tremb ju te Asocacioni zoti Kurti? Si Kryeministër i Kosovës jo personalisht. Kur je Kryeministër shikimi është pak më i gjerë, duhet të bësh dhe kompromise. Tani, çfarë ju tremb ju tek implementimi i marrëveshjeve për Asocacionin?

 

Albin Kurti: Asocacioni i komunave me shumicë serbe është një marrëveshje që është nënshkruar në Bruksel para 10 vjetësh, ndërmjet ish-Kryeministrit Hashim Thaçi dhe Daçiç. Ajo marrëveshje e bën ndarjen mbi baza etnike, të komandantit të policisë, të Gjykatës së Apelit…

Blendi Fevziu: Do të thotë serbët në territoret e tyre e vendosin vetë policinë, vendosin vetë Gjykatën e Apelit, marrin vetë dhe taksat në mos gaboj të importeve, apo jo?

Albin Kurti: Asocacioni i komunave bëhet një nivel i tretë i pushtetit që përfaqëson serbët karshi Prishtinës, që merr mbështetje nga Beogradi.

Blendi Fevziu: Deri ku shkon autonomia e tyre sipas marrëveshjeve që ju keni firmosur?

Albin Kurti: Praktikisht, bëhet si një lloj entiteti autonom që ka lidhje vertikale me Beogradin.

Blendi Fevziu: Pra, do të thotë një lloj shteti brenda shtetit…

Albin Kurti: Do të thotë një lloj shteti brenda shtetit. Pikërisht, sikurse Republika Serbe që është në Bosnje, edhe atje në vitin 1991…

Blendi Fevziu: Që për ta thënë hapur, se ju se thoni dot se jeni Kryeministër, është një dështim.

Albin Kurti: Republika Serbe e ka sabotuar shtetësinë e Bosnje-Hercegovinës , Bosnja-Hercegovina është një shtet që s’është Republikë e megjithatë e ka brenda një jo shtet që është Republikë. Edhe atje 14 komuna janë bërë bashkë në ’91-in, shpallën pavarësi, morën Kushtetutën dhe në fund njohjen ndërkombëtare. Prandaj ne duhet të nxjerrim mësimet nga Bosnja, që të mos i përsërisim në Kosovë.

Blendi Fevziu: Sa asocacione ju krijohen brenda territorit të Kosovës?

Albin Kurti: I kemi gjithsej 10 komuna që i bie diku çereku i territorit të Kosovës.

Blendi Fevziu: Pra, rreth 25% të territorit të Kosovës?

Albin Kurti: Serbët në Kosovë janë rreth 4% ndërkohë në administrim marrin rreth çerekun e territorit, teksa kanë 10 ulëse të rezervuara në Kuvendin e Republikës.

Blendi Fevziu: Pra, në shumë raste ata kanë të drejtë të vendosin dhe kush do të qeverisë vendin?

Albin Kurti: Kanë edhe të drejtën e vetos për ligjet me rëndësi jetike. Serbia kërkon territorializimin e këtyre privilegjeve, pra nuk dëshiron më shumë të drejta për serbët por më shumë territorializim të të drejtave.

Blendi Fevziu: Në një farë mënyrë këto mbeten si gropa të zeza brenda territorit të Kosovës, të paadministrueshme nga Kosova, me një lloj komande drejtëpërdrejt nga Beogradi. Pra Kosova administron vetëm 2/3 e territorit të saj.

Albin Kurti: Qëllimi i Beogradit zyrtar është i qartë, synim i integritetit territorial dhe në anën tjetër defunksionalizim i shtetit.