Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se janë afër themelimit të Fondit Sovran, i cili ka për qëllim që të rriten investimet në vend.

Në konferencën për Fondin Sovran të Kosovës, bashkëorganizim i Zyrës së Kryeministrit dhe Fondacionit Friedrich Ebert Stiftun, Kurti tha se Qeveria qëndron fuqishëm prapa këtij vizioni duke besuar se një nismë e tillë do të rezultojë me stabilizim të ekonomisë përmes diversitetit dhe krijimit të profitit për shtetin përmes investimeve të mençura.

“Tani kur Projektligji ka kaluar konsultimet publike, jemi një hap më afër drejt miratimit të tij e më këtë të kurorëzimit të idesë që ka nisur me koncept dokumentin mbi Fondin Sovran. Qeveria jonë qëndron fuqishëm prapa këtij vizionit duke besuar që një nismë e tillë do të rezultojë me stabilizim të ekonomisë përmes diversitetit, krijim të profitit për shtetin përmes investimeve të mençura, e me gjenerim të pasurisë për gjeneratat që vinë. Të gjitha këto me qëllim të një transformimi makro-ekonomik të bazuar në kornizë politikash të investimeve të qarta përmes dispozitave ligjore të parashikueshme”, tha Kurti.

Ai përmendi edhe Telekomin, duke thënë se ka siguruar profit e fitore në arbitrazh ndërkombëtar, duke rritur edhe cilësinë e shërbimeve për qytetarët.

Mes tjerash, Kurti është mburrur me qeverisjen e tij për dy vite, ku tha se kanë shënuar rezultate sinifikante në ekonomi.

Ndërkaq, Rene Schlee, drejtor ekzekutiv i “Friedrich Ebert Stiftung”, tha se ky do të jetë një hap domethënës për Kosovën, pasi në këtë formë do të krijojë rritje ekonomike.

Kordinartorja e këtij fondi, Rrezarta Pllana tha se Fondi do të ketë ndikim buxhetor, socio-ekonomik dhe të ambientit që do të ndikojë edhe në rritjen e punësimit.

Ideja për krijimin e Fondit Sovran është diskutuar që kur Qeveria Kurti II, e përfshiu atë në kuadër të prioriteteve të saj në programin katërvjeçar.