Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti për RTK 2 ka thënë se beson se propozimi evropian është bazë e mirë për marrëveshjen me Serbinë dhe se është i gatshëm të bisedojë për marrëveshjet e arritura në Bruksel, por ka thënë se nuk ka marrë ndonjë argument adekuat për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
I pari i ekzekutivit ka thënë se “nuk e sheh të nevojshëm krijimin e Asociacacionit, por se është i gatshëm për diskutime për të drejtat e komuniteteve joshumicë”.
“Jam gati për bisedime për të drejtat e pakicave, të komuniteteve joshumicë, jam gati për këtë. Por duhet ta kuptoni se është shumë e rëndësishme që ata që duan më shumë të drejta sesa u jep plani i Ahtisaarit, e mbajnë barrën e argumentimit – pse u duhen më shumë. Ahtisaari mori çmimin Nobel për Paqe, çfarë do ta plotësonte planin e Ahtisaarit, cilat janë argumentet për të metat e tij. Barra e argumentit duhet të jetë mbi ata që kërkojnë diçka tjetër apo diçka më shumë”, tha Kurti në intervistë për RTK 2, e cila do të transmetohet të dielën në mbrëmje.
Tutje Kurti ka treguar se kur e ka parë propozimin e njohur më parë si ‘franko-gjerman’ dhe ka thënë që nga atëherë kanë negociuar për arritjen e marrëveshjes.
“Të jem plotësisht i qartë, sigurisht edhe i sinqertë, më 9 shtator e kam lexuar atë propozim, por nga ‘iPad’-i i Lajçakut, nuk kam pasur dokument me shkrim. Ishin së bashku me Jens Plotner dhe Emmanuel Bonn, të dërguarit nga Parisi dhe Berlini. Unë menjëherë e kam vërejtur se më në fund kemi një propozim për marrëveshje”, ka shtuar kryeministri Kurti.
Duke folur për kthimin e serbëve në institucione, veçanërisht në polici, Kurti tha se nuk pajtohet me gjendjen e tanishme dhe se nuk dëshiron që serbët në veri të zëvendësohen me shqiptarë.
“Më vjen shumë keq që ata kanë dhënë dorëheqje. Mendoj se dorëheqjet janë të gabuara. Unë në parim nuk përjashtoj askënd për t’u kthyer, por nuk jam kompetentë që të vendosi për kriteret në vend të komisionit profesional. E them qartë, nuk kam ndërmend ta mbush atë vakum me shqiptarë. Nëse serbët kanë dhënë dorëheqje, serbët duhet të jenë në ato pozita dhe i ftoj të gjithë që të aplikojnë”, ka nënvizuar Kurti.
I pyetur për të vlerësuar situatën e sigurisë në Kosovë, shefi i Qeverisë tha se nuk ka hequr dorë nga premtimi i tij parazgjedhor se një nga prioritetet e tij është dialogu i brendshëm me serbët, por se aktualisht nuk ekziston mirëbesimi i nevojshëm. Ai ka paralajmëruar 123 projekte për ndërmarrje të vogla dhe biznese fillestare, prej të cilave 48 janë të destinuara për komunitetin serb.