Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një postimi në Facebook-un e tij zyrtar, ka uruar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën për rezultatin e arritur në zgjedhjet e 25 prillit që u mbajtën, shkruan Syri Kosova.

Kurti ka theksuar se shteti i Kosovës nuk mundet pa Shqipërinë dhe anasjelltas.

Ai po ashtu ka uruar që të zbardhën të gjitha paqartësitë në lidhje me procesin zgjedhor.

Postimi i plotë i Kurtit:

Sipas rezultateve paraprake të shpallura nga KQZ në Republikën e Shqipërisë, Partia Socialiste dhe kryeministri Edi Rama ka fituar zgjedhjet parlamentare. Kosova nuk mundet pa Shqipërinë e Shqipëria nuk mundet pa Kosovën, prandaj e përgëzoj kryeministrin e Shqipërisë Edi Ramën për rezultatet, dhe uroj që së bashku, si shqiptarë, të shtojmë bashkëveprimin mes nesh në të gjithë sektorët, si dhe t’i afrojmë standardet evropiane sa i përket demokracisë, zhvillimit ekonomik, drejtësisë e mirëqenies.

Njëkohësisht uroj që institucionet në Shqipëri të sqarojnë çdo paqartësi në lidhje me procesin zgjedhor që askujt të mos i preket e drejta e votës, mbi të cilën themelohet demokracia përfaqësuese.

Këto janë pritshmëritë e shqiptarëve, andaj, të punojmë së bashku.