Pjesa e katërt e librit “Të vërtetat e vonuara” tek MekuliPress

Vazhdim nga pjesa e tretë:

Ku e lamë Kosovën?

2. Është e çuditshme dhe, njëkohësisht, treguese pse si një numër i reaguesve, kur flasin për identitetin shqiptar, kanë parasysh vetëm Shqipërinë. Për këtë arsye emërvendi Shqipëri bëhet zëvendësim për emërnjeriun shqiptar. I pari që e bën këtë është Ismail Kadare kur, duke folur për identitetin e shqiptarëve në sprovën Identiteti evropian i shqiptarëve, thotë atë fjalinë e papranueshme: “Letrat e Shqipërisë janë të qarta”! Nuk ka dyshim se kjo është një pikënisje e gabuar për çdo gjykim për identitetin e shqiptarëve. Nuk mund të gjykohet shkencërisht për çështje të identitetit shqiptar duke pasur parasysh vetëm Shqipërinë, domethënë duke mos pasur parasysh të gjithë shqiptarët në Ballkan dhe shqiptarët në diasporë. Gjykimi për pjesën nuk mund të zëvendësojë gjykimin për tërësinë. Pjesa, sado e madhe dhe sado e rëndësishme qoftë, nuk është tërësia. Ata që për identitetin e shqiptarëve do të gjykojnë duke pasur parasysh të gjitha trevat shqiptare e jo vetëm Shqipërinë shtetërore, të gjithë shqiptarët e jo vetëm ata që jetojnë në Shqipërinë shtetërore, nuk do t’i lejojnë vetes që të shpërfillin përbërësit e shumtë të kulturës e të qytetërimit mysliman në identitetin e gjithësishëm, të përbashkët, historik të shqiptarëve. Pikënisja metodologjike e Ismail Kadaresë, e formuluar në fjalinë përjashtuese ndaj Kosovës “Letrat e Shqipërisë janë të qarta” si edhe e miqve të tij reagues ndaj kësaj polemike, vetëm sa i frymëzon përpjekjet e disa vetjeve, disa grupeve dhe ndonjë institucioni në Kosovë për krijimin e identitetit kombëtar kosovar. E shqiptarët në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Luginën e Preshevës dhe kudo qofshin sot vetëm së bashku përbëjnë identitetin e përbashkët, të përbërë, të gjithësishëm shqiptar. Për identitetin kombëtar shqiptar si për një identitet të përbashkët, të gjithësishëm, historik mund të flasim vetëm kur t’i marrim parasysh të veçantat e shqiptarëve të krahinave të ndryshme, të dialekteve të ndryshme, të feve të ndryshme dhe të politikave e të fateve të ndryshme historike shqiptare, sidomos prej copëtimit të trojeve shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër në vitin 1912 – 1913.

Besimi dhe mosbesimi

3. Ka nga reaguesit që e quajnë të papranueshëm konstatimin tim mbi rëndësinë e përbërësit fetar (mysliman) në identitetin e përgjithshëm, historik, shqiptar. Qëndrimin e tyre të tillë e mbështesin në konstatimin se qenkemi populli më mosbesimtar në Evropë, me ç’rast pohimi më mosbesimtar tingëllon këtu si vlerësim pozitiv. Në qoftë se, sipas konstatimit të këtyre reaguesve, ne, vërtet, qenkemi populli më mosbesimtar në Evropë – më mosbesimtar se popujt me tradita më të gjata shtetërore e demokratike dhe me tradita më të pasura kulturore, mos do të thotë kjo se ne qenkemi populli më i përparuar, më i zhvilluar, më i kulturuar i Evropës? Le ta japin ata vetë përgjigjen për këtë pyetje, kurse unë po shtoj: ndoshta në kohën e komunizmit edhe mund të radhiteshim ndër popujt, si i quajnë ata, më mosbesimtarë të Evropës, por nuk jam aspak i sigurt se sot jemi aq mosbesimtarë sa dje. Dëshmi për shtimin e përkushtimeve fetare të pjesëtarëve të të tri feve mund të shihen e mund të dëgjohen kudo: në familje, në kisha e në xhami, në hapësirat para tyre, në shkolla e në fakultete, në institucione të shkencës, të kulturës e, madje, të politikës. Ata që i shpallin shqiptarët popullin më mosbesimtar në Evropë sot, mund të mos besojnë, ndoshta, në qoftë se u thuhet: në institucione shkencore në Prishtinë, për shembull, para, ta themi, njëzet vjetësh nuk dihej nëse e agjëronte kush ramazanin, kurse sot këtë e bëjnë jo pak prej tyre, përpos të tjerësh, edhe këshilltarë shkencorë; në shkollat e mesme në Kosovë, para njëzet vjetësh, ta themi, nuk dihej nëse agjëronte ndonjë nxënës a ndonjë mësues, arsimtar a profesor, kurse sot dihet për shumë e shumë prej tyre; në xhamitë e Kosovës para njëzet vjetësh nuk dihej nëse shkonte të falej ndonjë profesor fakulteti, kurse sot është gjithnjë e më i dukshëm numri i tyre që të premteve shihen në xhami. Në Kosovë sot me rituale fetare varrosen edhe anëtarë të ndjerë të Akademisë së Shkencave e të Arteve të Kosovës; por, në Kosovë sot me rituale fetare ngjet të varrosen edhe ish-funksionarë të lartë, madje, edhe më të lartit, të Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës. Si në Kosovë, përkushtimet fetare mbas rënies së komunizmit janë shtuar edhe ndër shqiptarët në Maqedoni, në Luginën e Preshevës dhe në Mal të Zi. Të mos i shohësh këto sot do të thotë të mos e shohësh njëmendësinë. Dhe, të shpërfillësh përbërësit e besimit mysliman, – që në Kosovë e në Shqipëri kanë ardhur nga Lindja turko-arabe – e kjo do të thotë edhe të kulturës me bazë besimin mysliman në identitetin e gjithësishëm shqiptar, do të thotë të shpërfillësh njëmendësinë: të shpërfillësh njëmendësinë qoftë pse nuk je në gjendje ta shohësh, qoftë – çka, mjerisht, ngjet më shpesh – pse nuk dëshiron ta shohësh të tillë çfarë është ajo. E kur flitet për identitetin e shqiptarëve në përgjithësi e jo vetëm për identitetin e shqiptarëve në Shqipërinë shtetërore do të duhej të dihej se në Kosovë, në Maqedoni, në Luginën e Preshevës dhe në Mal të Zi, jetojnë sot gati gjysma e shqiptarëve në Ballkan, kurse mbi 95 për qind e këtyre shqiptarëve i takojnë besimit mysliman.

Besimin e autorëve të pohimit se shqiptarët na qenkan populli më mosbesimtar në Evropë e përgënjeshtrojnë edhe të dhëna të tjera ndër të cilat mund të përmendet një emision i udhëhequr prej Alban Dudushit në Top Channel, në të cilin, përpos se u theksua racizmi i Ismail Kadaresë, u paraqitën të dhëna për rënien e numrit të martesave të përziera e për shtimin e numrit të konflikteve fetare dhe këto të dhëna flasin, ndoshta, për forcimin, apo, madje, për tejshquarjen e vetëdijes fetare në jetën tonë.

4. Njëri prej reaguesve do të ma marrë për të keq se për njërën prej çështjeve për të cilën është folur në përgjigjen ndaj sprovës së Ismail Kadaresë paskam folur si myftiu i një qyteti tonë. Dhe, kjo se paskam folur ashtu siç paska folur edhe myftiu, nuk e di nëse fola unë përpara tij apo ai përpara meje, qenka e palejueshme. Mos do të thotë kjo se një intelektual për asnjë çështje nuk do të duhej të fliste siç flet një myfti? Dhe, mos do të thotë kjo se çdo gjë që thotë një myfti që përpara qenka e papranueshme? Nuk e di nëse shqiptuesit të këtij pohimi i shkon mendja se vetëm në kohën e komunizmit ishte e padëshiruar, madje, e palejuar që të thuash diçka që do të pajtohej me atë që për atë diçka e paska thënë një myfti, një kardinal a një rabin!

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Nuk e di si mund të kuptohet më parë ky qortim: si paragjykim fetar, si myslimanofobi, apo si një klishe komuniste e strehuar në ndërdijen e qortuesit. Pak më e vrazhdë, ndoshta, do të mund të quhej këshilla e reaguesit tjetër, i cili shqiptarëve që mund të mos mendojnë si ai ua tregon udhën e pelegrinazhit, për të zgjidhur, si thotë, brengat e veta! A bash kështu duhet të flasë një shqiptar ortodoks për shqiptarin mysliman që për haxhillëk shkon në Qabe apo një shqiptar mysliman për vëllanë ortodoks që për pelegrinazh shkon në Patrikanën e Stambollit e për vëllanë katolik që për pelegrinazh shkon në Vatikan?!

Krahasime që s’bëhen

5. Një reagues tjetër pa ndonjë ngurrim dhe pa ndonjë hamendësim shpërfill kritikën letrare, teorinë letrare dhe historinë letrare e kjo domethënë shkencën e letërsisë në krahasim me letërsinë. Ç’më duhet mua, mendon ai, studimi i veprës së një shkrimtari kur e kam atë vepër? Ç’më duhet mua, thotë ai pa ngurrim, monografia e Rexhep Qosjes për Naim Frashërin? Dhe, unë nuk e di a nuk i duhet kjo monografi pse e paska shkruar Rexhep Qosja apo pse qenka e shkruar mbi krijimtarinë e Naim Frashërit? Ky pohim shqiptohet për t’u dëshmuar pohimet e disa miqve të Ismail Kadaresë e, pastaj, edhe mendimi i kryeministrit të Shqipërisë, se polemika ndaj së cilës reagojnë ata është polemikë midis dy autorëve me popullorësi të ndryshme: një shkrimtari, një poeti – botëror dhe një kritiku, një historiani letrar – lokal! Ta lëmë krahasimin midis popullorësive e të merremi me krahasimin vlerësues midis fushave krijuese: midis poezisë dhe shkencës, midis poezisë dhe trajtave të tjera të veprimtarisë mendore të njeriut.

Krahasimet vlerësuese midis arteve të veçanta dhe midis arteve e trajtave të tjera të veprimtarisë mendore të njeriut, siç janë shkenca dhe filozofia, quhen të tejkaluara, të papranuara, të gabuara, sepse të gjitha artet, të gjitha shkencat dhe filozofia i duhen njeriut, janë shprehje e mendësive të tij dhe i shërbejnë jetës së tij. I takon një kohe të shkuar koncepti romantik sipas të cilit poezia dhe muzika përfaqësojnë dëshminë më të fuqishme të gjeniut ashtu siç i takon një kohe të shkuar koncepti hegelian sipas të cilit poezia (e kjo domethënë letërsia) i takon fëmijërisë, kurse filozofia dhe shkenca pjekurisë së njerëzimit. Për këtë arsye në kulturat e zhvilluara nuk bëhen krahasime vlerësuese midis shkrimtarit dhe kritikut, midis shkrimtarit dhe shkencëtarit, midis shkrimtarit dhe filozofit.

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Studiuesi i njohur polak, Henrik Markieviç, thotë, fjala vjen, se sot “gjithnjë e më dukshëm po hiqen kufijtë midis letërsisë dhe filozofisë, shkencës, reportazhit ose publicistikës”; studiuesi francez, Robert Eskarpi, thotë se ka shumë vepra të shkruara me qëllim funksional që çmohen si vepra të vërteta letrare; teoriku i njohur i letërsisë, Cvetan Todorov, në trajtesën Nocioni i letërsisë, fjala vjen, thotë se “çdo tip i ligjërimit që zakonisht e quajmë letrar e ka tipin e ngjashëm jo letrar me të cilin është më i afërt se me një tip tjetër të ligjërimit letrar”. Krijuesit e ndryshëm të arteve, të shkencës dhe të filozofisë çmohen jo varësisht pse njëri është poet, tjetri shkencëtar e i treti filozof, po varësisht prej vlerës, kuptimit, rëndësisë së veprave të tyre. Cili intelektual francez do të thoshte, fjala vjen, se Rasini, Kornej a Molieri janë më të çmuar në kulturën franceze se Dekarti? Asnjëri. Cili intelektual francez do të thoshte se Lamartini është më i çmuar e më i rëndësishëm për kulturën franceze sesa Rusoi? Asnjëri. Cili intelektual francez do të thoshte se Pol Valeri në kulturën franceze është më i çmuar e më i rëndësishëm se Henri Bergsoni apo Gustav Lansoni? Asnjëri. Cili intelektual gjerman do të thoshte se Gëte dhe Shileri për kulturën gjermane janë më të rëndësishëm se Kanti dhe Hegeli? Asnjëri.

Në letërsinë italiane të shekullit nëntëmbëdhjetë dhe të shekullit njëzet kanë krijuar me mijëra poetë, prozatorë e dramaturgë, por ndër, të themi, pesë shkrimtarët më të lavdishëm të shekullit nëntëmbëdhjetë hyn kritiku dhe historiani i letërsisë italiane, Francesko de Sanktis, kurse ndër më të lavdishmit e shekullit njëzet hyn kritiku dhe esteti Benedeto Kroçe. Albert Kamy dhe Zhan-Pol Sartri janë dy nga figurat më të mëdha të letërsisë franceze të shekullit njëzet, por janë aq të mëdhenj, aq të çmuar e aq të rëndësishëm në këtë letërsi dhe në letërsinë botërore në përgjithësi, jo vetëm si prozatorë, por edhe si filozofë, kritikë, eseistë, intelektualë me formim dhe ndikim universal – Sartri dhe jo vetëm si prozator e dramaturg, po edhe si mendimtar, kritik, intelektual i gjithanshëm – Kamy.

Ç’përfaqësojnë mijëra e mijëra romancierë në krahasim me Herodotin, Plutarkun, Livin, Tacitin, Erazmon, Bekonin, Montenjin, Lesingun, Vikon, Volterin, Didronë, Renanin, Tenin, të cilët trajtohen shkrimtarë të mëdhenj sepse janë, para së gjithash shkencëtarë, mendimtarë, moralistë të mëdhenj?

Krahasimet vlerësuese midis intelektualëve tanë, midis krijuesve tanë, varësisht prej fushës krijuese me të cilën merren, nuk e tregojnë të vërtetën për rëndësinë dhe për rolin e tyre të përgjithshëm në letërsinë dhe në kulturën kombëtare. VIJON NESËR!

/MekuliPress.com/

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress