Vendimi i Bashkimit Europian për të mos hapur kufijtë me Shqipërinë ngjan të jetë krejt i pajustifikuar. Përtej çdo lloj spekullimi realiteti është se shifrat e epidemisë në Shqipëri as nuk afrohen me ato të Italisë fqinje, apo edhe Gjermanisë p.sh, apo Francës e Spanjës.

Edhe sikur të pranojmë se është gënjyer, Shqipëria sërish nuk pati ndonjë emergjencë spitalore dhe përtej gjithçkaje, nuk mund të besohet se në vendin tonë të refuzojnë edhe shtrimin në spital.

Vendimi në fjalë lë një shije të hidhur me të cilën jemi mësuar tashmë, por që në këtë rast nuk ka asnjë edhe një justifikim formal.

Burime diplomatike i thanë ResPublica se i vetmi vend që ka propozuar hapje kufijsh më 1 korrik me BE-në është Greqia, por kërkesa e saj është refuzuar në bllok. As Italia nuk ka propozuar hapjen për vendin tonë, diçka e papritur kjo nisur nga marrëdhënia e veçantë që kemi me Italinë, por edhe nga marrëdhënia speciale që na u tha se z. Rama vendosi me ministrin e Jashtëm, di Maio.

Ky lloj akti është për t’u mbajtur shënim pasi duket se bashkë me refuzimin e vazhdueshëm për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës afirmohet si një lloj politike e posaçme kundër shqiptarëve të zakonshëm në Europë.

Në fund të fundit shqiptarët përgënjeshtruan çdo parashikim negativ qëkur u liberalizua lëvizja dhe ngjan se kjo temë është me të vërtetë politike dhe jo çështje standardi.