Mërgimtarë shqiptarë në Gjermani kanë protestuar të shtunën kundër themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Protesta është organizuar nga aktivistë e shoqatave të bashkatdhetarëve, ndërsa është përkrahur edhe nga qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjermani.

“Kundër bosnjizimit të Kosovës”, “Vuçiq=Putin”, “Vuçiqi e do edhe një luftë në Evropë”, “Jo Asociacionit” e “Jo ndarjes etnike”, ishin disa nga pankartat protestuese në Berlin.

“Ne, mërgata shqiptare në Gjermani jemi mbledhur për të ngritur zërin kundër agresionit të Serbisë ndaj Kosovës. Po bëhet gjithnjë e më e qartë se Serbia në bashkëpunim me Rusinë synon destabilizimin e Ballkanit. Serbët që jetojnë në Kosovë po keqpërdoren sistematikisht nga Beogradi për ta bërë shtetin e Kosovës jofunksional. Bandat serbe të kontrolluara nga Beogradi kontrollojnë bashkëqytetarët tanë në veri duke i kërcënuar me dhunë”, ka thënë një nga protestueset.

Sipas saj, me planin për Asociacion, Serbia po ndjek qëllimin e ndarjes së shoqërisë kosovare mbi baza etnike.

“Serbët në Kosovë s’kanë nevojë për organizatë ekskluzive monoetnike. Shumica prej tyre nuk e duan. Ata kanë nevojë për integrim dhe perspektivë të mirë të jetës në Kosovë. Nuk guxojmë të lejojmë që Beogradi t’i shfrytëzojë ata edhe më tutje. Beogradit nuk i interesojnë serbët e Kosovës. Qëllimi i Beogradit është ta bëjë jofunksional shtetin e Kosovës dhe ta minojë sovranitetin e saj. Asociacioni monoetnik do ta bënte Kosovën Bosnjë të dytë. Atje Republika Sërspka vepron si shtet brenda shtetit dhe e bën të pamundur përparimin e vendit. Funksion të ngjashëm do të kishte Asociacioni monoetnik serb në Kosovë. Ky model nuk guxon të përsëritet edhe një herë në rajonin tonë. S’duam ndarje të tillë. I bëjmë thirrje SHBA-së, Bashkimit Evropian dhe Gjermanisë të refuzojnë kërkesa të tilla”, ka thënë ajo gjatë fjalimit.

Ajo ka thënë po ashtu se duke mbështetur kërkesën e Serbisë, ndërkombëtarët po mbështesin ndarjen në baza etnike të Kosovës.