Kur lakmia vret!

Në pranverën e vitit 1477, një ushtri osmane e komanduar nga Evrenosoğlu Ahmedi rrethoi Krujën. Osmanët ngritën kampin para kështjellës së Krujës, ku ishin ngujuar 500 banorë dhe 250 këmbësorë që kishin ushqime dhe municione për 6 muaj. Të shqetësuar që nëse osmanët marrin Krujën ia mësyjnë Puljes, senatorët venedikas dërguan për ndërmjetësim më 24 maj 1477, Francesco Contarinin, që mori komandën për forcat tokësore në Arbni.

Pasi dështoi përpjekja për korruptimin e sanxhakbeut osman, më 18 gusht, Senati i Venedikut i dha urdhër Contarinit dhe Antonio da Lezzes – kontit të Shkodrës dhe mbikëqyrësit të Arbnisë, – të sulmojnë rrethin osman. Në fillim të shtatorit, Contarini sulmoi me 1600 mercenarët e tij italianë dhe me mbi 5000 banorë të zonës, duke i dëbuar trupat osmane.

Por, ai nuk artiti t’i ndalonte trupat arbnore të plaçkitnin kampin fushor osman, çka nxiti një revansh nga osmanët të cilët u rikthyen duke i shpartalluar ata dhe duke e vrarë edhe vetë Contarinin që e masakruan me gjithë shpurën e tij dhe bashkë me 400 mercenarë dhe ushtarë arbën, 5 kapitenë venedikas dhe 3 kondotierë. Osmanët ishin të pandalshëm dhe pas pak muajsh, praktikisht përmbyllën pushtimin e Arbnisë!/Durim Abdullahu/