Vërejtjet dhe sugjerimet e OSBE-së për projektligjin e ri për mediat elektronike janë një dëshmi – e vërtetë, objektive dhe e paanshme – e faktit se qeveria shqiptare i sheh ligjet si mënyrë kontrolli dhe jo rregullimi. Kjo për arsye se kritikat e OSBE-së kanë kapur thelbin e problemeve që sjell me vete ky draft, i cili ndonëse detyron që interpretimi i tij të mos bëhet asnjëherë në kurriz të lirisë së shprehjes, vendos sanksione dhe rregullon masa ndërhyrëse të tilla që çojnë në autocensurë.

Vërejtja e bërë për AMA-n është përsëritur shpesh nga gazetarë të ndryshëm, por qeveria shqiptare, ministrja e Drejtësisë ka heshtur ose refuzuar të dëgjojë duke u mbrojtur se është konsultuar me grupe interesi dhe gazetarë.

Kjo që ndodhi me analizën ligjore të OSBE-së nuk mund të quhet as dështim, për shkak se qeveria shqiptare ka dalë me një propozim për shkaqe fare të paqarta. Përndryshe, një projektligj kaq i ndjeshëm që nisej nga premisa të rregullimit dhe vjen konform normave më të mira, do të merrte patjetër në konsideratë, qoftë përvojën shumë të veçantë të kësaj shoqërie me lirinë e shprehjes, qoftë edhe situatën e tanishme.

Qeveria shqiptare, kjo e tanishmja, po bën diçka të paprecedentë: po kërkon të “demokratizojë” luftën kundër medias përmes ligjvënies. Nisur nga bezdisja e madhe dhe skandalet që i kanë shpërthyer e të cilat nuk i ka kontrolluar dot.

Përndryshe të gjithë dispozitat e propozuara nuk gjejnë jehonë në problematikën e medias online, e cila në shumicë është e identifikueshme dhe e ekspozuar para ligjit. Meqë jemi këtu, qeveria dhe AKEP pasi kërkuan NIPT-et publike nuk vepruan më tej për ata që nuk e zbatuan këtë “detyrim”. Çka do të thotë se kjo qeveri nuk kërkon zbatimin e ligjit, por thjesht Ligjin që është aty si siguri për çdo rast.

Re.Pu