Gëzim Mekuli
/Njohës i shkencave të mediave dhe retorikës/
Në një zhvillim tronditës dhe të dhimbshëm për secilin qytetar që e do këtë vend të vjedhur për 25 vjet rresht, sot po përjetojmë një nga momentet më dramatike të historisë sonë.
Mediat serbe, të njohura për propagandë kundër Kosovës, kanë gjetur aleatët e tyre më të vlefshëm jo nëpër korridoret e pushtetit në Beograd, por në mesin e vetë opozitës shqiptare në Prishtinë.
Sot një gazetë serbe shkruan: “Partitë opozitare, të cilat kishin thënë se nuk do të hynin në koalicion me partinë e tij, pjesërisht e fajësojnë Kurtin për përshkallëzimin e tensioneve në veri të vendit me popullatë kryesisht serbe, gjë që ka përkeqësuar shanset e Kosovës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, si dhe ka shtyrë bllokun që t’i vendosë Kosovës sanksione.”
Është trishtuese. Është tmerruese të shohësh sesi fjalët që prodhohen nga mediat shqipe dhe opozita e Prishtinës, me qëllim përfitimi të ngushtë politik, shndërrohen në municion kundër vetë Kosovës në Beogradin e moçëm.
Në vend që të mbronin shtetin, ‘opozita jonë’ ka zgjedhur ta dëmtojë atë. Në vend që të mbanin barrën e përgjegjësisë kombëtare, ata kanë marrë rolin e denigruesve më të mëdhenj të qeverisë dhe vetë Republikës së Kosovës.
Të dashur lexues,
Sot, propaganda e tyre brenda vendit, po trajtohet si fakt ndërkombëtarisht.
Sot, akuzat e pabazuara të opozitës, që dikur ishin vetëm pjesë e betejave të brendshme politike, tashmë përdoren si fakte nga Serbia e moçme për të justifikuar agresionin e saj diplomatik dhe ushtarak ndaj Kosovës.
Kjo është një tragjedi politike. Është një goditje e rëndë ndaj projektit tonë shtetformues. Është një akt që historia shqiptare do ta gjykojë me ashpërsinë më të madhe.
Opozita që duhej të luftonte për kombin e për shtetin, është shndërruar në municion për ta rrezikuar atë.
Në këtë udhëkryq historik, shqiptarëtnuk mund të heshtin.
Kush e vë interesin personal mbi interesin kombëtar, bëhet bashkëpunëtor i planeve më të rrezikshme kundër Kosovës.
Historia do ta shënojë këtë ditë si një nga turpet më të mëdha të skenës politike shqiptare në Prishtinë dhe Tiranë.