Jeta funksionon në një mënyrë të tillë që ne nuk mund t’ia dalim dot, nëse nuk mbajmë kontakte me të tjerët. Mirëpo jo gjithmonë njerëzit me të cilët komunikojmë, do të jenë njerëz pozitivë. Shpesh do të krijojmë marrëdhënie edhe me njerëz të ftohtë, të pasigurtë, të cilët na kritikojnë, apo na poshtërojnë. Këta njerëz që argëtohen duke na parë të trishtuar dhe të pamotivuar, kanë shpesh një problem me veten e tyre që nuk mund ta zgjidhin.

Shpesh është ndjesia e inferioritetit që ndjen, ajo që të shtyn të ndihesh më mirë në heshtje duke i nxitur të tjerët të jenë po aq të pasigurtë dhe inferiorë sa po ndihesh edhe ti. Ajo që duhet të kuptosh, është se duke i ulur apo poshtëruar të tjerët, nuk e tregon veten tënde aspak më superior.

Përkundrazi, reflekton thjesht trishtimin që ndodhet brenda teje, si dhe zilinë brenda teje, e cila nuk të lejon t’i shohësh personat përreth me sukses. Duhet t’i kontrollosh veprimet dhe sjelljen me personat që të rrethojnë, sepse asgjë e mirë nuk mund të vijë duke poshtëruar të tjerët. Nuk do të fitosh as respekt, as sukses e as lumturi duke i lënduar të tjerët.

Nëse një sjellje e tillë na jep rëndësi dhe kënaqësi, duhet të nisim ta vlerësojmë edhe një herë jetën tonë dhe të kërkojmë ndihmë për të gjetur një rrugë që të jetë vërtet pozitive dhe të na lejojë të ndihemi vërtet mirë, pasi lëndimi i tjetrit nuk duhet të na falë asnjëherë kënaqësi.

Është e rëndësishme të kuptojmë se kjo lloj sjelljeje nuk është e mirë për askënd, pasi sjell vetëm negativitet në jetët tona. Është e rëndësishme të heqim dorë nga sjelljet toksike dhe të mundohemi të ofrojmë më shumë dritë dhe lumturi në jetët e të tjerëve. Jeta bëhet më e bukur kur mëshojmë drejt së mirës dhe pozitives./bota.al