Babai përbën një figurë të pazëvendësueshme në jetën e fëmijëve. Ai është po aq i rëndësishëm sa mamaja përgjatë rritjes së tyre. Është pjesa më e fortë e familjes, ai që përfaqëson edhe shtyllën kryesore të saj. Figura e babait për fëmijët është ajo e personit, ku ata mund të mbështeten në momentet e vështirësisë. Në këtë artikull, ne do t’ju sjellim një rrëfim të gjetur në internet që tregon mbi mënyrën se si Zoti ka krijuar babanë. Është një rrëfim i bukur, i cili mund t’u tregohet fëmijëve përpara se të flenë, për t’i bërë të kuptojnë se sa i rëndësishëm është babai për ta.

Kur Zoti krijoi babanë, ai filloi duke vizatuar një siluetë të gjatë dhe të fortë. Një engjëll që fluturonte aty pranë, vështroi letrën dhe ndaloi duke e parë me kureshtje. Zoti u kthye dhe engjëlli, i skuqur në fytyrë, e pyeti: “Çfarë je duke vizatuar?”.

“Ky është një projekt i madh”, iu përgjigj Zoti.
“Çfarë emri i ke vendosur”, pyeti engjëlli.
“E kam quajtur Baba”, ia ktheu Zoti, duke vazhduar vizatimin e tij në letër.
“Për çfarë do të shërbejë babai?”
“Një baba do t’i japë ndihmë fëmijëve të tij, do të dijë t’i inkurajojë ata në momentet e vështirë dhe t’i përkëdhelë kur të ndihen të mërzitur. Ai do t’i edukojë duke i mësuar gjërat e mira dhe jo të mira”, i tha Zoti engjëllit.

Zoti punoi gjithë natën duke vizatuar çdo detaj të babait në fletë, ndërkohë që engjëllin e zuri gjumi pranëtij. Kur ai u zgjua, pa që Zoti po pikturonte ende.
“Akoma po punon me projektin e babait?”, e pyeti ai me kuriozitet.
“Po, kjo gjë kërkon kohë”, iu përgjigj Zoti me zë të qetë dhe të ëmbël.

Engjëlli kaloi sipër vizatimit dhe pa se deri në cilën pikë kishte arritur Zoti me pikturën. “A nuk të duket figura e babait shumë e madhe krahasuar me fëmijët që i ke vizatuar kaq të vegjël?”.

Me një buzëqeshje në fytyrë, Zoti iu përgjigj: “Jo, ai ka madhësinë e duhur për t’i bërë fëmijët të ndihen të mbrojtur, por edhe për t’i frikësuar ata disi që të mos përfitojnë dhe t’ia dëgjojnë fjalën kur ai t’i mësojëmbi ndershmërinë dhe respektin”.

Engjëlli vazhdoi me një pyetje tjetër: “A nuk i ka pak të mëdha duart?”.
“Jo, janë mjaftueshëm të mëdha sa për t’i mbajtur fëmijët në krahë e për t’i bërë ata të ndihen të sigurtë”, ia ktheu Zoti duke vazhduar me vizatimin.
“Po këto, janë sytë e tij?”, e pyeti engjëlli duke treguar me gisht drejt syve në vizatim.
“Po, janë sytë që do të shohin dhe do të kuptojnë gjithçka, edhe duke qëndruar të qetë dhe tolerantë”, iu përgjigj Zoti.
“Nuk të duken pak të ashpër sytë e tij?”
“Shikoji mirë”, e këshilloi Zoti.
Në atë moment, engjëlli u afrua më shumë drejt vizatimit dhe pa që sytë e babait ishin të mbushura me lot, ndërkohë që ishte duke parë me krenari dhe dashuri fëmijën e tij të vogël”.