Epikteti (rreth 50 – rreth 135 pas Krishtit) ishte një filozof grek stoik.

Ai lindi në një familje skllavësh në Hierapolis, Frygia (sot Pamukkale, Turqi) dhe jetoi në Romë deri në dëbimin e tij, pastaj ai shkoi në Nicopolis në Greqinë veriperëndimore për të kaluar pjesën tjetër të jetës së tij. Mësimet e tij janë shkruar dhe botuar nga nxënësi i tij Arrian.

Epikteti shpjegonte se filozofia është një mënyrë jetese dhe jo vetëm një disiplinë teorike. Për Epiktetin, të gjitha ngjarjet e jashtme janë përtej kontrollit tonë; ne duhet të pranojmë çdo gjë që na ndodh me qetësi dhe pandjeshmëri. Sidoqoftë, individët janë përgjegjës për veprimet e tyre, të cilat ata mund t’i shqyrtojnë dhe kontrollojnë përmes vetë-disiplinës rigoroze.

Për kënaqësinë e lexuesve tanë kemi sjellë një koleksion të thënieve më të bukura të tij.

Çfarë duhet të thotë dikush, ndërsa përballet me çdolloj vështirësie? Unë po praktikohesha për këtë, po stërvitesha për këtë.

Nëse doni të përmirësoheni, jini të kënaqur kur ju pandehin budallenj dhe të çmendur.

Asnjë gjë madhështore nuk krijohet papritmas, qoftë edhe një grezdë rrushi ose një fik. Nëse më thoni se dëshironi një fik, unë do t’ju përgjigjem se duhet të ketë kohë. Lëreni së pari të lulëzojë, pastaj të japë fryte, pastaj të piqet.

Vetëm njerëzit e lexuar janë të lirë.

Së pari thuaji vetes se çfarë do të ishe; dhe pastaj bëj atë që duhet të bësh.

Kur ofendoheni për një faj që e ka kryer ndonjë tjetër, kthehuni te vetja dhe studioni vetë dështimet tuaja, atëherë do të harroni zemërimin tuaj.

Sprovat me të cilat do të ndesheni do t’ju njohin me pikat tuaja të forta. Qëndroni të palëkundur … dhe një ditë do të ndërtoni diçka që qëndron: diçka të denjë për potencialin tuaj.

Bota kthehet mënjanë për ta lënë të kalojë çdo njeri që e di se ku po shkon.

Bashkangjituni me atë që është superior shpirtërisht, pavarësisht nga ajo që njerëzit e tjerë mendojnë ose bëjnë. Mbajuni aspiratave tuaja të vërteta pa marrë parasysh se çfarë po ndodh përreth jush.

Ju mund të më lidhni këmbën, por vetë Zeusi nuk mund ta zotërojë vullnetin tim të lirë.

Mos kërkoni të mirën në gjërat e jashtme; kërkojeni në veten tuaj.

Me rastin e çdo aksidenti që ju ndodh, mos harroni të ktheheni te vetja dhe të pyesni se çfarë fuqie keni për ta kthyer atë në dobi.

Liria është e drejta për ta jetuar jetën time siç dua.

Eshtë natyrë e të mençurve që t’i rezistojnë kënaqësive, por budallenjve të jenë skllevër të tyre.

Nuk janë rrethanat ato që e bëjnë njeriun, ato vetëm sa e prezantojnë atë me veten e tij.

Kujdes me këtë moment. Zhytuni në veçoritë e tij. Përgjigjju këtij personi, kësaj sfide, kësaj vepre. Lëri devijimet. Ndaloni së dhëni vetes telashe të panevojshme.
Eshtë koha të jetojmë vërtet.

Nëse dëshiron të jesh shkrimtar, shkruaj.

Kryesorja është të bësh shoqëri vetëm me njerëz që të ngrenë lart, prania e të cilëve nxjerr në pah më të mirën brenda teje.

Bëni filtrim të pamëshirshëm të imazheve dhe ideve që lejoni në mendjen tuaj.

Asnjë njeri nuk është i lirë që nuk është zot i vetvetes.

Eshtë e pamundur t’ia mbushësh mendjen dikujt që mendon se e ka plot.

Mos kërko që ngjarjet të ndodhin ashtu siç dëshiron ti, por dëshiro që ato të ndodhin ashtu siç ndodhin, dhe gjithçka do të jetë mirë me ty.

Kurrë mos u varni nga admirimi i të tjerëve. Nuk ka asnjë strehë nën të. Meritat personale nuk mund të rrjedhin nga një burim i jashtëm.