Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka lavdëruar raportet e Kosovës me Turqinë pas takimit që ka pasur në Stamboll me presidentin Recep Tayyip Erdogan. Në konferencën për media pas darkës së punës, Kurti ka deklaruar se “në Stamboll nis një pjesë e mirë e zgjimit tonë kombëtar”.

“Është kënaqësi e veçantë që me ftesë të Presidentin Erdogan ndodhem sot në qytetin historik të Stambollit, kryeqendër e dy perandorive, kryqëzim civilizimesh e kulturash, pikëtakim vlerash.Që nga Mesihu i Prishtinës, poeti prishtinas i shek. XVI, e te Sami Frashëri e Hasan Prishtina – Stambolli ishte gravitim edhe për popullin tonë. Për ne Samiu është nga etërit e Rilindjes sonë Kombëtare, për popullin turk ai konsiderohet prej themeltarëve të intelektualizmit modern. I po kësaj vije është edhe Hasan Tahsini, rektori i parë shqiptar i Universitetit të Stambollit, aty ku student ishte Hasan Prishtina. Emrin e të cilit sot e mbanë Universiteti i Prishtinës. Në Stamboll, nis një pjesë e mirë e zgjimit tonë kombëtar.”, ka thënë Kurti duke shtuar se pikërisht në Stamboll sot është diskutuar për “raportet miqësore që kemi dhe si mund t’i thellojmë e forcojmë me vullnetin e dyanshëm”.

“Folëm për mundësitë e reja të bashkëpunimit në rrafshin ekonomik e tregtar, të sigurisë e të mbrojtjes. Diskutuam edhe për zhvillimet në rajon dhe më gjerë. Jemi gjithmonë mirënjohëse për rolin e Turqisë në intervenimin e NATO-s në Kosovë në vitin 1999, për ndaljen e gjenocidit mbi popullin e Kosovës e që solli çlirimin dhe paqen në vend; për kontributin e pakursyer në ndërtimin e institucioneve; shpalljen dhe njohjen e pavarësisë së Republikës sonë; dhe për mbështetjen e plotë e të pakursyer të Turqisë në politikën e jashtme.e. E falënderova presidentin Erdogan për përkrahjen e zëshme të Turqisë për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe në Këshill të Evropës. Në NATO na bashkon orientimi. Në Këshill të Evropës vlerat. Në të dyjat, na bashkon momenti kritik nëpër të cilin po kalon kontinenti i Evropës”, ka deklaruar tutje Kurti.

Kurti tutje ka thënë se Qeveria po synon të krijojë mjedis për të tërhequr investitorë të huaj.

“Turqia është ndër partneret tona kryesore ekonomike e tregtare, na gëzon kjo, por s’mjafton. Ta shfrytëzojmë aktualitetin e bashkëpunimit për të arritur potencialin e madh të tij”, ka shtuar ai.