Deputetja e Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka kërkuar që nesër të hapen shkollat dhe të nis mësimi.

Ajo përmes një postimi në Facebook ka shkruar se mësimi duhet të fillojë nesër, nxënësit duhet të ulen në bankat e shkollës aty ku e kanë vendin, jo në rrugë e jo shtëpi me dëshprimin që ende nuk u gjet zgjidhje për ta!

Postimi i saj:

Hapni shkollat, le të fillojë mësimi nesër

Agonia e cila po vazhdon për nxënësit lidhur me (mos) fillimin e mësimit, duhet të mbarojë nesër në gjithë Kosovën, pa dallim kush e udhëheq cilën komunë, apo cila parti udhëheq me cilën drejtori komunale të arsimit.

Të mbash fëmijët jashtë bankave të shkollës dhe jashtë objekteve shkollore, jo vetëm se është e padrejtë, por është e kundërta e vetë misionit të mësimdhënëses/sit.
Për gjeneratat që kanë përjetuar shkollat/shtëpi e përpjekjet e jashtëzakonshme të mësimdhënësve vetëm e vetëm të mos ndërpritet procesi mësimor, arsyetimi se “50€ nuk janë sa kemi kërkuar, kërkojmë 100€ deri në miratimin e ligjit të pagave”, nuk është arsyetim i qëndrueshëm krahasuar me dëmin që po i bëhet fëmijëve dhe gjithë procesit mësimor.

Ka disa vite rradhazi që 1 Shtatori fillon me të njejtin ankth: a do të ketë apo jo mësim se mund të kemi grevë.

Tash kur ka filluar procesi i diskutimit publik të Projektligjit për Pagat, kur dihet që brenda këtij viti shkollor pagat e mësimdhënësve do të jenë ato meritoret dhe të cilat pas tetë viteve do të reflektojnë ndryshimin e merituar, mohimi i të drejtës elementare për mësimnxënie dhe mësimdhënie, është destruktiv dhe me pasoja të rënda për nxënësit në mbarë Kosovën.

Andaj, apeloj tek drejtuesit e shkollave, mēsimdhënësit dhe gjithë personeli arsimore, filloni procesi mësimor nesër, mos e ndalni atë që ju garanton Kushtetuta e Ligji fëmijëve tonë.

Mos i futni fëmijët në gërshërët e betejave politike e institucionale, kemi më shumē nevojë për dritë e dije se për bllokadë e stagnim!

Mësimi duhet të fillojë nesër, nxënësit duhet të ulen në bankat e shkollës aty ku e kanë vendin, jo në rrugë e jo shtëpi me dëshprimin që ende nuk u gjet zgjidhje për ta!