Rrustem Umerov do ta zëvendësojë Oleksii Reznikovin në pozitën e ministrit të mbrojtjes ukrainase.

Umerov është lider i komunitetit tatar në Krime, i cili ka përfaqësuar vendin e tij në negociatat e ndjeshme me Rusinë, shkruan Guardian.

Umerov ka lindur në Uzbekistanin Sovjetik, vendin ku familja e tij kishte shkuar në ekzil si pasojë e regjimit të Stalinit. Familja e tij, u rikthye në Krime kur ai ishte fëmijë dhe kur Tatarët ishin lejuar të riktheheshin – bëhet fjalë për vitet 1980 – 1990.

41 vjeçari mysliman filloi biznesin e tij në rrjetin e telekomit në vitin 2004, ndërkaq në vitin 2019, fitoi ulëse si deputet në parlamentin e Ukrainës.

Prej aty, ai shërbeu si udhëheqës i Platformës Kriemane, një përpjekje diplomatike për tërheqjen nga aneksimi rus i vitit 2014.

Ai ka shërbyer me vitë të tëra si këshilltar i udhëheqësit historik të liderit krimean të Tatarëve, Mustafa Dzhemilev.

Rusia mori nën kontroll Krimenë në vitin 2014 duke imponuar një referendum për aneksimin e këtij rajoni nga Ukraina, një akt i cili kundërshtohet nga Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë.

Komuniteti Tatar, i cili përbën rreth 15 % të popullsisë në Krime, rreth 2 milionë banorë, bojkotuan referendumin rus.

Pas këtij akti, Moska kishte ndaluar parlamentin tradicional të minoritetit mysliman Tatar ‘Mejlis’ – duke e shpallur si organizatë ekstremiste dhe kishte burgosur shumë prej anëtarëve të saj.

“Propaganda ruse përdorë një narrativë të atillë, duke e ndarë kombin ukrainas në baza etnike vetëm për të arsyetuar aksionet e saj në vendin tonë”.. thotë Rrustem Omerov, citon Guardian.

“Ne nuk përjetojmë asnjë lloj shovenizmi e as islamafobie këtu në Ukrainë, në bazë të përkatësisë fetare ose etnike”, përfundon ai.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi më 3 shtator përmes një postimi në Telegram, duke thënë se udhëheqja e re në Ministrinë e Mbrojtjes ishte e nevojshme pasi Reznikov ka kaluar nëpër “më shumë se 550 ditë të një lufte të shkallës së gjerë”.

Ndërkaq, më vonë përmes një adresimi, Zelensky tha se beson se “Ministria ka nevojë për një qasje të re dhe forma të tjera të ndërveprimit, si me ushtrinë, ashtu edhe me shoqërinë”.

“Parlamenti i Ukrainës e ka një person të tillë dhe Umerov nuk ka nevojë që të prezantohet. Pres që kandidatura e tij të ketë mbështetjen e Parlamentit”, tha Zelensky.

Shkarkimi i Reznikovit vjen pas një skandali lidhur me prokurimin e xhaketave ushtarake nga Ministria e Mbrojtjes. Në gusht, gazetarët ukrainas raportuan se këto materiale ishin blerë me një çmim trefish më të lartë dhe në vend të xhaketave dimërore ishin blerë xhaketa verore. Në dokumentet doganore për blerjen e këtyre produkteve, një xhaketë thuhej se kishte çmimin prej 29 dollarësh, por Ministria ukrainase e Mbrojtjes kishte paguar 86 dollarë për copë. Reznikov javën e kaluar gjatë një konference për media mohoi të gjitha akuzat.

Më 3 shtator, presidenti amerikan, Joe Biden, u tha gazetarëve se ishte në dijeni që Zelensky do të zëvendësonte shefin e tij të mbrojtjes. I pyetur nga gazetarët që të komentonte këtë zhvillim, Biden tha se nuk “do të komentoj publikisht”.

Shtetet e Bashkuara dhe shtetet e tjera perëndimore mbështesin Ukrainën e cila po përballet me pushtimin e paprovokuar që Rusia nisi në shkurt të vitit 2022.