Koha e Hipokratit, apo e Hipokritit….?!
Ky version origjinal i “Betimit të Hipokratit”, është kod jetëdhënës për njeriun, pavarësisht profesionit…
“Unë i betohem Apolos, mjekut dhe Asklepit, kirurgut, po ashtu dhe Panakeas, dhe i thërras të gjithë zotat dhe perëndeshat të dëshmojnë.
Unë do të respektoj dhe do të mbroj këtë betim, me fuqinë më të madhe dhe gjykimin më të lartë.
Do të nderoj mësuesin që më mësoi artin. Sikundër prindërve të mi, do t’i jap atij mjetet e nevojshme për mbështetje, dhe do t’i konsideroj bijtë e tij si vëllezërit e mi.
Do t’u mësoj atyre artin pa shpërblim dhe pa ujdi, dhe do t’u jap përvojën, udhëzimet, dhe çdo gjë që di, sikundër bijve të mi.
Po ashtu do të veproj me të gjithë nxënësit, që do të zotohen dhe do të lidhen me betimin profesional dhe me kurrgjë tjetër.
Për shërimin e të sëmurit, do të sajoj dhe do të jap dietën më të mirë, sipas gjykimit dhe mjeteve të mia. Do të përkujdesem që ai të mos vuajë as lëndim as dëmtim.
Asnjë përgjërim prej askujt nuk do të më bindë për t’i dhënë dikujt helm, as do të këshilloj njeri të bëjë këtë.
Për më tepër, nuk do t’i jap asnjëfarë ilaçi gruas shtatzënë, me qëllim prishjen e fëmijës.
Për më tepër, do të sillem dhe do të përdor dijen time në mënyrë të perëndishme.
Nuk do të operoj gurët, por do t’ia besoj këtë punë plotësisht kirurgut.
Në çdo shtëpi, vizita ime do të jetë vetëm për lehtësim dhe në dobi të të sëmurit dhe me vullnet do t’u shmangem shkaktimit të dëmeve apo gabimeve prej gënjeshtrave.
Në mënyrë të veçantë veprimeve me natyrë dashurore.
Pavarësisht nga sëra e atyre që kam për detyrë të kuroj, qofshin zonja apo shërbëtore, skllave apo të liruara.
Gjatë praktikës sime, çdo gjë që mund të shoh apo dëgjoj (edhe kur nuk jam i ftuar), çdo gjë që mund të ndodhë të mësoj, nëse nuk është e duhur të përsëritet, do ta mbaj sekret të shenjtë brenda kraharorit tim.
Nëse respektoj këtë betim me besim, lulëzofsha dhe përparofsha në mirëqenien dhe profesionin tim dhe jetofsha në vlerësim të pasardhësve.
Por në e shkelsha, i kundërt qoftë fati im!”
Shqipëroi: Alfred Kola