Këto lajmet për keqpërdorime e vjedhje të ndihmave kanë për synim shuarjen e ndjenjës solidare e komunitare tek njerëzit, dhe kanalizimin e ndihmës tek industria e bamirësve milionerë dhe te kanalet shtetërore. Prandaj po “shqetësohen shumë” bamirësit VIP-a, prandaj po shprehen vrazhdë pushtetarët që kanë dobësuar shtetin.

Shteti do duhet të ofronte koordinim e organizim, por për faqe të zezë, ende nuk dihet sa të pagjetur janë, sa të lënduar e ku ndodhen, sa të pastrehë e ku, sa prej tyre fëmijë, sa pleq, sa gra e sa burra. Ky shtet i cili u tha njerëzve të rikthehen në banesat e krisura pas tërmetit të shtatorit, pa bërë vlerësimin e duhur, mban përgjegjësi direkte.

Ky shtet i mbushur me çunakë e çupërlina, me servilë të pajisur me cv të zbukuruar, diplomë nga jashtë vendit, buzëqeshje fotozhenike e që dinë t’i thonë veç po shefit, nuk di të punojë e të organizojë. E ka dobësuar ushtrinë, nuk i ka marrë parasysh inxhinierët, e ka degjeneruar shëndetësinë, policinë, zjarrfikësit.

Por edhe VIP-at, që merakosen për vjedhjen e ndonjë batanijeje. Historikisht në katastrofa të mëdha ka edhe vjedhje të vogla, kontrabandistë të varfër e kështu me radhë. Ta shfrytëzosh këtë për t’i kanalizuar ndihmat te llogaria jote, kjo është poshtërsi. E kush e bën këtë poshtërsi? Ata të industrisë së spektaklit dhe bamirësisë për spektakël, milionerë që përdorin evente për të shpëlarë para, njerëz të pasuruar pa kurrfarë kontributi shoqëror…