“Lasgushi më ka thënë’, nga Petraq Kolevica

Atëherë shisja gazeta. Ngrihesha në orën dy e gjysmë, natën, dhe vija merrja 300 gazeta që mezi i shisja nëpër rrugë gjer në orën dhjetë. Isha student. Gjysmën e parave që fitoja nga shitja e gazetave e harxhoja për qiranë e asaj dhome ku flija. Shisja gazeta dhe më vinte inat kur më thërrisnin: Pëst! Pëst! ata që deshin gazetën, sa më cenonin dinjitetin tim.

Atëherë barkun e kisha bosh, po rrija i veshur elegant. Jepja dhe mësim privat në frëngjisht. I jepja çupës së një pasaniku grek. Një ditë, pas një muaji, ai më dërgoi një letër. Qirie Lasgush — më thosh — mos ejani më, se kam gjetur një mësues tjetër. Pastaj i dhashë mësim çupës së një pasaniku shqiptar.

Për këtë më ndihmoi Asdreni. Kur biseduam me atë pasanikun, më tha: zoti Lasgush juve do të hani bukë këtu, bashkë me ne. Mua më vinte rëndë, s’desha të ha bukë bashkë me ata dhe i thashë: Preferoj më mirë të më paguani. Mirë, më tha, si të doni. Milioner, ai!

Jepja mësim dy herë në ditë. Kur vija në mëngjes, ajo çupa ishte e veshur me fustan mëndafshi rozë. Kur vija pas dite, e gjeja të veshur me fustan mëndafshi bojë qielli me trëndafila. Kamarieri i shtëpisë më sillte një thelë bakllava të madhe. Unë isha barkbosh, po bakllavanë nuk e haja. Kam ngrënë i thosha. S’desha të ul dinjitetin tim, të dukesha si sahanlëpirës. Pastaj punova për të siguruar abonentë për gazetën e pronarëve urbanë.

Kjo ishte e vështirë, se do të vije në dhjetë shtëpi që të siguroje një abonent. Punova dhe me një karrocë, i hipur përmbi pirgim me fuçi me birrë që i shpërndanim nëpër pijetoret.’ Sa fuçi do sot, xha Sotir? Tre, Lasgush! I lija tre fuçi. Shkonim më tutje te tjetri; tjetri… Kështu për ditë. Me këto punë ushqehesha dhe vazhdoja universitetin.

Vazhdoja fakultetin e gjuhësisë dhe letërsisë; Fakultetin e teologjisë se desha të mësoj hebraishten, vazhdova tre vjet fakultetin e drejtësisë, fakultetin e mjekësisë për gjashtë muaj. Këtë fakultet e ndoqa dhe në Gratz. Vazhdova shkollën e lartë të muzikës dhe të teatrit. Akademinë e pikturës dhe Shkollën e lirë të pikturës. Akademia ishte shkollë shtetërore, kurse në shkollën e lirë të pikturës jepnin mësim vetë artistët e njohur. Çfarë nuk mësoja! Isha i uritur për të ngrënë, po isha shumë i uritur për kulturë.”

By