RTK ka larguar nga puna gazetarin e njohur Demir Reshiti. Këtë lajm jo të këndshëm e bëri publik vetë gazetari z. Rushiti. Duhet theksuar se Demir Rushiti është një ndër gazetarët e paktë të pavarur në botën e medias shqiptare të Kosovës, shkruan MekuliPress.com

Largimin e tij nga puna redaksia MekuliPress e konsideron si të qëllimshëm dhe me prapaskena ideologjike. RTK duhet të filloj me spastrimin e gazetarëve partiak e të korruptuar, të cilët, për më shumë se 20 vite, morën pjesë aktive në kalbëzimin e vlerave kulturore dhe informative në hapsirën publike të Kosovës.

RTK është institucioni me shumë afera koruptive; shtrohet pyetja, cilat masa u morrën ndaj të korruptuarëve të RTK-së? Përse i frikësohet RTK pastrimit nga mbeturinat e brendshme, mbeturina që po e rrënojnë besueshmërinë e këtij instituconi mediatik në publik?

Ja se si e përshkruan në facebook z. reshiti largimin e tij nga puna si gazetar i RTK-së:

DO TË MË MUNGONI SHUMË!
Të nderuar miq, dëgjues të emisionit “Më afër”.
Pas 11 vitesh të shoqërimit me ju nëpërmjet valëve të RTK-radio, më duhet të përshëndetem përfundimisht me JU!
– Nuk po dal në pension (ende nuk e kam moshën e pensionit);
– Nuk po e lë punën vetë (kurrë nuk do ta bëja me dëshirën time, edhe nëse do të paguhesha më shumë në ndonjë medium tjetër);
– PO MË LARGOJNË NGA PUNA (apo më mirë, nuk po ma vazhdojnë më kontratën!).
-Nuk po më largojnë për mospunë apo mospërkushtim në punë (kam qenë një nga punëtorët më të përkushtuar në këtë medium dhe këtë ma kanë pohuar dhe vazhdojnë të ma pohojnë kolegët, redaktorët madje edhe vetë drejtoresha dhe ish-drejtorët);
-Nuk po më largojnë për mos përmbushje të detyrimeve apo ndonjë shkelje të detyrave të punës (për këto 11 vite nuk ka ndodhë që të mos e mbaj ndonjë emision për fajin tim. Madje për pesë vite, pa kompensim e kam mbajtur edhe emisionin “Jeta në fshat”!);
-Nuk po më largojnë për shkaqe profesionale (e kam kryer punën me shumë përkushtim, madje jam shpërblyer me shumë çmime, dekorata, mirënjohje e certifikata pikërisht për këtë emision);
-Nuk po më largojnë se nuk ka pasur dëgjueshmëri ky emision (përkundrazi matjet e dëgjueshmërisë që janë bërë e kanë radhitur emisionin “Më afër” nga më të dëgjuarit në RTK-radio);
NUK E DI AS UNË PSE PO MË LARGOJNË!!!
– Menaxhmenti aktual i RTK-së arsyetohet se nuk mund të na i vazhdojë kontratat sepse do të bënte shkelje të ligjit. Arsyetohet gjithashtu se Bordi i RTK-së dhe Auditori i Përgjithshëm ka kërkuar një gjë të tillë. Arsyetimet tjera janë kriza financiare që ka kapluar RTK-në pas shkurtimit të buxhetit për dy milionë euro…);
– Bordi i RTK-së thotë se nuk ka kërkuar largimin nga puna të punëtorëve me kontrata për shërbime por ka kërkuar që këtyre punëtorëve t’ju bëhen kontrata të rregullta (kështu së paku ma pohoi njëri nga anëtarët e Bordit të cilit ia shpreha shqetësimin dhe i tregova konkretisht për rastin tim);
– Ushtruesja e detyrës së drejtorit të RTK-radio ka shprehur shqetësimin e saj konkret lidhur me largimin tim dhe punëtorëve tjerë. Madje konkretisht për emisionin tim ka thënë se nuk do të duhej assesi të ndërpritej sepse u kushtohet mërgimtarëve. Ajo, por edhe menaxhmenti e qe besa edhe Bordi e dinë se RTK është e obliguar me ligj që 9% të programit të saj t’ia kushtojë mërgatës. (E di që po të ishte në dorën e saj nuk do të më largonte kurrë pikërisht sepse e di rëndësinë e këtij emisioni dhe vlerat e mia si moderator);
Një gjë është e sigurt, unë nga 1 prilli 2022 nuk do të jem më pjesë e RTK-radio përkundër faktit se jam shprehur i gatshëm që për tre muaj të punoj pa pagesë vetëm e vetëm për ta ruajtur kontinuitetin e emisionit dhe afërsinë me JU të dashur dëgjues – mërgimtarë, afërsi që e krijuam për këto 11 vite!
Dita më e rëndë për mua ishte e diela (27 mars 2022) kur kisha emisionin e fundit dhe momenti më i rëndë ishte kur në vend që t’u thosha natën e mirë dhe mirë u dëgjofshim të dielën e ardhshme, mu desh t’ju thosha se është dita e fundit që komunikojmë bashkë përmes valëve të RTK-radio!
Për fund, e them pa modesti të dashur miq – bashkatdhetarë më shumë po më lëndon fakti se nuk do të komunikojmë më bashkë përmes emisionit “Më afër” se sa largimi im nga puna!
Ju dua dhe do të më mungoni shumë,
Sinqerisht,
Demiri