Gjatë vitit të kaluar, bota u bë dëshmitare e një zhvillimi të shpejtë dhe të paprecedent në drejtim të vaksinave të sigurta dhe efektive COVID-19, kryesisht për shkak të investimeve publike të SHBA. Në këtë moment, është në interesin kombëtar të Amerikës të rritë përpjekjet globale të vaksinimit duke mbështetur heqjen dorë nga të drejtat e pronësisë intelektuale.

I dashur President Biden,

Ne, ish-kryetarët e shteteve dhe qeverive si dhe laureatë të Nobelit, jemi shumë të shqetësuar në lidhje me progresin e ngadaltë të aksesit global të vaksinave COVID-19 dhe imunizimit në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Gjatë vitit të kaluar, bota u bë dëshmitare e një zhvillimi të shpejtë të vaksinave anti-Covid të sigurta dhe efektive, në një pjesë të madhe falë investimeve publike të SHBA-ve. Ne të gjithë e mirëpresim faktin që përdorimi i vaksinave në Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende më të pasura po sjell shpresë për qytetarët e tyre.

Megjithatë, për shumicën e botës, një shpresë e tillë nuk po shihet askund. Valët e reja të pandemisë po vijojnë në të gjithë botën. Ekonomia globale nuk mund të rimëkëmbet nëse mbetet vulnerabël para këtij virusi. Por ne jemi shpresëplotë nga raportimet se administrata juaj po konsideron një pezullim të përkohshëm të rregullave të pronësisë intelektuale të Organizatës Botërore të Tregtisë gjatë pandemisë COVID-19, siç propozohet nga Afrika e Jugut dhe India, dhe mbështetet nga më shumë se 100 shtete anëtare të OBT-së dhe ekspertë të shëndetit publik në të gjithë botën.

Ky hap i OBT-së do të ishte jetik dhe i domosdoshëm për t’i dhënë fund kësaj pandemie. Ai duhet të kombinohet me sigurimin e njohurive dhe teknologjisë së vaksinave në mënyrë të hapur. Kjo mund të arrihet përmes Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe programit të saj “Aksesi në teknologjinë Covid-19”, një strategji e mbështetur nga këshilltari juaj kryesor për mjekësinë, Anthony Fauci. Kjo do të shpëtojë jetë dhe do të na çojë përpara drejt imunitetit global të tufës. Këto veprime do të zgjeronin kapacitetin global të prodhimit, pa u penguar nga monopolet e industrisë që po nxisin mungesat të mëdha furnizimi dhe po bllokojnë aksesin e vaksinave. Nëntë në dhjetë njerëz në shumicën e vendeve të varfra mund të mbeten pa vaksinë këtë vit. Me këtë ritëm, shumë vende do të lihen në pritje të paktën deri në vitin 2024 për të arritur imunizimin masiv COVID-19, pavarësisht asaj që mund të ofrojnë iniciativa e kufizuar, por njëkohësisht e mirëpritur, Covax.

Ky hap i OBT-së për të Drejtat e Pronës Intelektuale (TRIPS) duhet të shoqërohet me investime të koordinuara globale në kërkim, zhvillim dhe kapacitet prodhues për të trajtuar këtë pandemi dhe për të na përgatitur për të ardhmen, si pjesë e një arkitekture ndërkombëtare më të fuqishme të shëndetit. Nëse ka diçka që kemi mësuar nga viti i kaluar, ajo është se kërcënimet ndaj shëndetit publik janë globale dhe se investimet strategjike të qeverisë, veprimi, bashkëpunimi dhe solidariteti janë jetike. Tregu nuk mund t’i plotësojë në mënyrë adekuate këto sfida dhe as nuk mund ta tkurrrë nacionalizmin.

Mbrojtja e plotë e pronësisë intelektuale dhe monopoleve do të ndikojë negativisht në përpjekjet për të vaksinuar botën dhe mund të rezultojë dëmtuese për vetë SHBA-të. Duke pasur parasysh mungesat artificiale të furnizimit global, ekonomia amerikane tashmë rrezikon të humbasë 1.3 trilion dollarë nga GDP këtë vit. Nëse virusi do të lihej i lirë nëpër botë, edhe sikur amerikanët të vaksinoheshin, ata do të vazhdonin të ishin ekspozuar ndaj varianteve të reja të tij.

Z. President, bota mori mësime të dhimbshme nga qasja e pabarabartë në trajtimet jetëshpëtuese për sëmundje të tilla si HIV. Duke mbështetur tërheqjen nga TRIPS, SHBA do të ofronte një shembull të udhëheqjes së përgjegjshme për shëndetin global në një kohë kur është më e nevojshme – siç ka bërë më parë për HIV, duke shpëtuar miliona jetë. Mbështetja juaj në mbledhjen e aleatëve dhe të gjitha vendeve për këtë kauzë do të jetë thelbësore. Nën udhëheqjen tuaj, ne mund të sigurojmë që teknologjia e vaksinave COVID-19 të ndahet me botën. Mbështetja për pezullimin e rregullave të pronësisë intelektuale të lidhura me COVID-19 do t’u japë të gjithë njerëzve një shans për të jetuar në një botë të çliruar nga virusi. Ne na duhet një vaksinë për popullin.

Shumë prej nesh kanë përjetuar presione, sfida dhe kufizime të natyrës politike. Por ne besojmë se kjo do të ishte një mundësi e pashembullt për SHBA, që të tregojë solidaritet, bashkëpunim dhe lidership të ripërtërirë. Shpresojmë që ta kapni këtë mundësi dhe të bëheni frymëzim që edhe të tjerë të bëjnë të njëjtën gjë. Ju lutemi ndërmerrni veprimet urgjente që vetëm ju mundeni, dhe le të mbetet ky moment në histori si koha që ne zgjodhëm për të vendosur të drejtën kolektive për të qenë të sigurt, përpara interesave tregtare të një pakice. Le t’u garantojmë të gjithëve fundin e kësaj pandemie. Si mbrojtës të aksesit global dhe të barabartë të vaksinave, ne mbetemi të gatshëm të mbështesim dhe shtojmë zërat në përpjekjet tuaja në këtë front.

* Letra në fjalë është firmosur nga një numër ish-drejtues shtetesh dhe laureatë të çmimit “Nobel”, përfshirë dy ish-presidentë të Shqipërisë, Sali Berisha dhe Rexhep Meidani

Burimi: Project Syndicate