Letërkëmbimi Arshi Pipa-Martin Camaj, 24 shtator 1982

Pas demostratave të studentëve në Kosovë në vitin 1981, Arshi Pipa përpiqet të sensibilizojë opinionin ndërkombëtar duke organizuar një konferencë shkencore mbi Kosovën, që është edhe objektivi i kësaj letre.

Po e sjell letrën në dy variante – si faksimil dhe tekst, duke falënderuar Muzeun Historik Shkodër që e ka publikuar:

ARSHI PIPA:

I dashun Martin, bashkangjitun gjen dy anekset mbi natyrën e konferencës dhe listën e pjesëmarrësve si edhe modalitetet e pjesëmarrjes. Si do të shohësh nga lista, në München-i do të marrin pjesë Grimm, Bartl dhe Reuter. Pjesëmarrja e tyre dhe mungesa jote… nuk po zgjatëm. Por mendoje mirë këtë punë. Gjindja ka me u çuditë: ti merr pjesë në nji…, le ta quajmë simpozium për nji auktor shqiptar, dhe i shmangesh pjesëmarrjes në nji konferencë ndërkombëtare për Kosovën! Si të kam shkrue, nuk ashtë nevoja që të vish vet me domos; mjafton pjesëmarrja me nji kumtesë të plotë, por me nji abstrakt nji faqeje (artikullin e shkruan me nge). As asht edhe nevoja që të ngatrrohesh në politikë: thema jote, studim i dialekteve kosovare, ashtë thema politikisht ma innocente që mund të jetë..

Mbledhja e fondeve ka filluar me marrë flakë. Të shpresojmë se ka me vazhdue. Përndryshe, do të na duhet neve, të Komitetit, me zbrazë qeset e kuletat. Por, edhe po të ndodh kështu, s’prishë punë: paret nuk po i harxhojmë për qëllime vetjake, por për Kosovën.

Ty ndoshta të ka mbete hatri pse un nuk kam shkrue ende nji recensim të tri vëllimeve të tua të fundme. Nuk kam pasë nge, por nuk e kam qitë në harresë. Organizimi i kësaj konfernce ka qenë barrë ma se forti mbi shpatullat e mia. Dhe nuk ka mbarue ende. Kam lan mbas dore të gjitha punët tjera për këtë.

Më shkruaj si e kalove kah Kalabria, dhe kur ke ndër mend t’i përfundojsh monografitë mbi dialektet arbreshe.

Të fala të përzemërta ty dhe Erikës.

24 shtator 1982

Arshi
[nënshkrim]

©️Fondi Arshi Pipa, Muzeu Historik Shkodër