Vendimet e fundit të gjykatave në RMV që lidhen me rastin e Almirit dhe atë të Sazdovskit si dhe rasti i BFI-së janë skandaloze dhe tregojnë edhe një herë se sa tendencioze dhe selektive janë ato, reagon Lëvizja BESA.

Sipas saj, problemi kryesor i gjyqësorit edhe më tej ngelet KUALIFIKIMI i veprave penale, varësisht nga përkatësia etnike e kryerësit të veprës penale veçanërisht kur janë në pyetje shqiptarët, ashtu edhe shqiptohet lartësia e dënimit ndaj autorëve të asaj vepre penale.

Lëvizja BESA kërkon sqarime nga gjykata, prokuroria dhe ekspertiza që njëherit janë edhe hallka kyçe në proceset gjyqësore: Si mund që vrasjet me paramendim t’i rikualifikoj si vepra penale të kryera nga fatkeqësia në komunikacion me pasoja vdekjeprurëse si në rastin e Almirit, me pretekstin që e njejta vepër nuk është kryer me paramendim dhe për kryerësin (Boban Iliç) të shqiptohet dënim me vetëm 6 vite burg? Ndërsa në anën tjetër për një tjetër rast me pothuajse pasoja identike (vdekjeprurëse), mirëpo me autorë të veprës penale në këtë rast dy shqiptarë, kualifikim i veprës penale (vrasje në mënyrë të dhunshme) të jetë kaq i ndryshëm nga rasti i Almirit dhe shqiptimi i dënimit të jetë shumë më i lartë me nga 19 vite vuajtje burg!

“Ne si Lëvizje BESA kërkojmë rishqyrtimin e këtyre dy rasteve, por edhe gjithë rasteve të tjera të gjykuara me prapavijë politike dhe diskriminuese ndaj shqiptarëve.”, thekson kjo parti.

Lidhur me ndodhitë e fundit në BFI theksohet se “edhe një herë e dëshmojnë se si gjykatat bien vendime skandaloze mbi bazën e dokumenteve të falcifikuara. BFI është institucion i cili ka organet e saj kompetente dhe çdo ndryshim duhet të buroj nga organet e saj duke u bazuar në statutin e BFI-së.”

“Prandaj, Lëvizja BESA kërkon që institucionet e drejtësisë të angazhohen për shtet të së drejtës dhe menjanimin e drejtësisë selektive, ku prioritet do të jenë reformat në gjyqësor si kusht plotësimin e standardeve europiane.”, thekson BESA. /MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress