Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar sot në Prokurorinë Speciale kallëzim penal lidhur, siç thotë kjo parti, me abuzimin me furnizim me oksigjen medicinal për spitalet e Kosovës.

Furnizimi me oksigjen ka qenë problem që nga fillimi i pandemisë.

Deputeti i VV-së, Fitim Uka, ka thënë se kallëzimin penal e kanë dorëzuar shkaku që nuk kanë marrë përgjigje nga Institucionet, as nga ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe u.d. drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi.

Uka ka thënë se ata kanë rrezikuar shëndetin e qytetarëve, pasi njëherë kanë deklaruar se ka mjaftueshëm oksigjen ndërsa më vonë qytetarët janë detyruar të blejnë atë.

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje në kallëzimin penal kanë përfshirë edhe çmimet e larta dhe terapinë për trajtimin e COVID-19 që qytetarëve u ka kushtuar mijëra euro.

Uka këtë e ka quajtur skandaloze dhe ka thënë se kjo ka qenë mënyra e vetme që përgjegjësit të japin përgjegjësi.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj të martën në raportimin para Komisionit për Shëndetësi, ka pranuar se kanë pasur problem me furnizim me oksigjen, porse sipas tij, ky problem tashmë është tejkaluar.