Sead Zimeri

Mbrëmë (20.04.20) në T7 Pressing deputeti i LDK-së Kujtim Shala sqaroi disa paqartësi rreth disa vendimeve që LDK-ja mori për rrëzimin e qeverisë Kurti.

Këtu dëshiroj të ndalem në një pikë që më shqetësoi pasi që e kuptova si skandal politik, apo, më saktësisht, si simptomë që, e lexuar simptomatikisht, del të jetë shprehje e një problemi më të thellë sesa vetë simptoma e shfaqur.

Simptoma në fjalë është qasja e LDK-së ndaj Amerikës. Çështja e raportit të Kosovës me Amerikën është bërë çështje e madhe kohëve të fundit, sidomos pas rrëzimit të qeverisë Kurti. Nuk është sekret që përmes ambasadorit Grenell Amerika ka bërë trysni të mëdha mbi qeverinë dhe mbi subjektet tjera partiake në Kosovë. Këto trysni krijuan një panik të paparë në Kosovë që shkaktoi një çorientim dhe një humbjen e ruajtjes së gjykimit racional që është aq i domosdoshëm në raste të tilla.

Politikanët kosovarë e humbën torruan dhe u sollën si amaterë të paprovuar politik. Pra përballë një trysnie pak më të madhe, ata u çorientuan, u bënë pikë e pesë siç thotë populli. Kjo tregoi, që politika në Kosovë është ende në fazën e saj të foshnjërisë. Me një trysni pak të shtuar ata fillojnë e luftojnë njëri tjetrin, dhe kërkojnë që të gjithë t’i nënshtrohen trysnisë së Amerikës. Kryeministrin që pati guximin të mos i nënshtrohet trysnisë e rrëzuan.

Kjo është simptoma që e kemi parë të gjithë. Por problemi është shumë më i thellë. Problemi është që subjektet politike kosovare nuk besojnë në demokraci, nuk besojnë që vullneti i popullit është sovran, dhe që ata duhet përfundimisht, si përfaqësues të sovranitetit demokratik të qytetarëve, të qëndrojnë të palëkundshëm para çdo trysnie që cënon atë.

Problemi ka të bëjë pra me deficitin e besimit në demokraci si forma përmes të cilës shprehet vullneti i qytetarëve. Partitë kosovare janë demokratike vetëm për aq sa demomracia reduktohet në mekanizëm të zgjedhjeve. Qytetarët, paradoksikalisht, zgjedhin ata që të injorojnë vullnetin e tyre.

Këtë e bëri shumë të qartë Kujtim Shala i cili theksoi se Amerika u ka thënë që kryeministri Kurti nuk mund ta përfaqësojë Kosovën në dialog me Sërbinë. Përtej faktit skandaloz që një gjë e tillë ndodh, dhe përtej faktit edhe më skandaloz se në vend që ky qëndrim politik i Amerikës të kontestohet fuqishëm dhe pa kompromis, LDK-ja shndërrohet në instrument, në mashë të Amerikës për ta rrëzuar qeverinë Kurti.

LDK-së pra nuk i interesoi legjitimiteti demokratik i qeverisë Kurti; nuk i interesoi se atë qeveri e kishte zgjedhur edhe vetë ajo; nuk i interesoi që kishte një marrëveshje me Vetëvendosje! të cilën e theu kur Amerika i bëri presion. Nëse ështē kështu, atëherë duhet shtruar pyetjen: çka është demokratike në Lidhjen Demokratike të Kosovës? A nuk do të ishte më mirë sikur ta ndërronte emrin në Lidhja Amerikane e Kosovës (LAK)? Kështu ajo hapur bëhen agjent i interesave të Amerikës në Kosovë dhe nuk ka pse pretendon që është parti demokratike.

Demokracia u jep legjitimitet politikave të pushtetit, dhe ato zgjedhen pikërisht sepse kanë fituar besimin e qytetarëve. Por kur Amerika ndërhyn dhe dikton se kush pranohet e kush nuk pranohet në Shtëpinë e Bardhë, dhe partia e dytë më e madhe në Kosovë dhe partneri qeverisës në vend që ta mbrojë legjitimitetin demokratik ajo i nënshtrohet diktatit të jashtëm, dhe vepron tamam si agjent i saj, atëherë unë nuk shoh asnjë arsye pse ajo duhet të quhet lidhje demokratike. Le të quhet lidhje amerikane, sepse demokracia ka kuptim krejt tjetër nga ajo që po i jep LDK-ja.

Realisht në kuptimin e LDK-së, demokracia është mekanizëm i zgjedhjes së përfaqësuesve të qytetarëve që do ta anashkalojnë vullnetin e tyre. Apo thënë më saktë, demokracia nënkupton zgjedhjen e përfaqësuesve të popullit që legjitimojnë ndërhyrjet e Amerikës në Kosovë pa asnjë rezistencë dhe pa kritere. Demokracia pra funksionon si legjitimim i shkeljes së vullnetit politik të qytetarëve. Kjo formë emrin e ka demokraci por realisht është një formë e qeverisjes autoritare, ku nga përfaqësuesit kosovarë pritet t’i nënshtrohen pa asnjë rezistencë dhe kritikë diktateve dhe urdhërave të Amerikës.

Ky është një shtrembërim në mos çoroditje e demokracisë dhe si mbështetës i saj, si besues në efikasitetin e saj për të përfaqësuar interesat e qytetarëve, konsideroj që kjo është një çoroditje që nuk duhet të tolerohet ngaqë demokracia pa vlera demokratike nuk është demokraci.

Nuk pretendohet asnjëherë që në demokraci përfaqësimi është përherë i plotë. Një gjë e tillë mund të bëhet në kushte ideale por në kushte jo-ideale kompromiset janë të domosdoshme. Demokracia është instrument politik dhe si i tillë nuk mund t’i ikë e as t’i shmanget kompromiseve dhe përfaqësimit jo të plotë të interesave të qytetarëve. Përfaqësuesit kanë diskrecion të madh në vendimmarrje, por nuk është në diskrecionin e tyre që ata ta braktisin tërësisht vullnetin qytetar.

Nënshtrimi pa asnjë kriter ndaj trysnisë amerikane është braktisje e plotë e vullnetit qyetar, e marrëveshjeve që LDK-ja kishte bërë me Vetëvendosje! dhe zvetënim i kuptimit të demokracisë.

Edhe një sqarim të shkurtër për rrëzimin e qeverisë. Tani më është bërë shumë e qartë që kryeministri Kurti nuk u rrëzua pse ai e shkarkoi një ministër të LDK-së pa marrëveshje paraprake me kryetarin e saj. Ky shpjegim nuk qëndron pasi bie ndesh me shpjegimin e dhënë nga Kujtim Shala që Amerika nuk po pranonte Kurtin të udhëheqte procesin e dialogut. LDK-ja që përfaqëson interesat amerikane në Kosovë menjëherë fillon procesin e rrëzimit të qeverisë, dhe ministri i saj fillon e vepron sikur ai tani më nuk i nënshtrohet autoritetit të kryeministrit. Kështu ata provokojnë kryeministrin në mënyrë që pataten e nxehtë t’ia lënë atij në dorë, e vetë të paraqiten viktimë e prishjes së marrëveshjes nga vetë kryeministri.

Pra, pasi që kish vendosur ta rrëzonte kryeministrin LDK-ja filloi edhe ta fyejë autoritetin e kryeministrit që pastaj të tërhiqet dhe fshehet pas lirisë së shprehjes së ministrit. Por liria e shprehjes si organ i qeverisë është e limituar sepse qeveria duhet të flasë me një zë, përndryshe shkakton huti dhe, në kohë pandemie, panikë tek qytetarët. Kur ai flet në emër të qeverisë ai do të flasë në pajtim me politikat e qeverisë, përndryshe nuk mund të jetë përfaqësues i saj. Si ministër ai bën përdorim privat të arsyes siç do të thoshte filozofi gjerman Imanuel Kanti, e që do të thotë se ai përfaqëson pikëpamjet e qeverisë së tij.

LDK-ja pra nuk u tregua demokratike, pasi që ajo nuk e mbrojti interesin e qytetarëve, por atë të Amerikës. Ajo e vendosi kryeministrin në një pozitë të vêshtirë dhe ajo ishte e para që e theu marrëveshjen me kryeministrin. Kurti kishte një mandat të qartë dhe ai do të humbiste besimin e gjithë votuesve të tij sikur t’bëhej një me LDK-në në qëndrime për të cilat ai nuk kishte mandat qytetar. Për një kohë edhe unë kisha dyshimet e mia që kryeministri u nxitua dhe nuk e luajti lojën politike aq mirë sa ai ka mundur dhe dinë ta luaj, dhe që ai e theu marrëveshjen kur e shkarkoi ministrin pa i parashikuar pasojat e një vendimi të tillë. Pra, kisha një dyshim që kryeministri nuk po e luante lojën si duhet, nuk po e kuptonte që tani ai më nuk është lider partiak por kryeministër i shtetit. Mendoja që faji ishte pjesërisht edhe i tij.

Në fakt, kryeministri ska pasë as mundësinë më të vogël që ta luajë lojën politike, dhe jo vetëm që nuk kishte kohë të mjaftueshme, por sepse partneri i saj ka qenë në shtrat jo me Kurtin por me Grenellin, dhe në asnjë moment nuk është treguar i gatshëm ta mbrojë kryeministrin përballë kritikave dhe trysnive amerikane. Nuk ka provuar aspak të gjejë mënyra tjera, njerëz tjerë për tē komunikuar me Amerikën. Për t’ia ndërruar bindjen asaj.

LDK-ja pra është fajtori i vetëm në këtë debakël politik. Ajo mban përgjegjësi morale dhe politike për rrëzimin e qeverisë. Amerika mund të ketë bërë trysni dhe të ketë vepruar si kauboj pa parime dhe pa respekt për vullnetin e qytetarëve, por ajo nuk e rrëzoi qeverinë Kurti. E as Kurti nuk e rrëzoi veten. Qeverinë Kurti e rrëzoi LDK-ja sepse ajo nuk beson mjaftueshëm në demokraci dhe kjo mbase e shpjegon pse ajo nuk ka edhe guximin ta kundërshtojë ndonjë vendim apo qëndrim politik të Amerikës.

LDK-ja ka pasur obligim moral dhe demokratik që ta mbrojë kryeministrin Kurti. Obligimi moral i saj konsiston në respektimin e marrëveshjes me Vetëvendosje! E vetmja arsye për të dalë nga një marrëveshje politike është shkelja e ndonjë neni eksplicit të marrëveshjes apo shkelja e vullnetit demokratik. Diçka e tillë nuk ka ndodhur nga ana e kryeministrit. Obligimi demokratik është që ajo si parti politike në Kosovë e ka për obligim demokratik që ta mbrojë demokracinë dhe vullneti demokratik të qytetarëve të saj. LDK-ja i theu të dy obligimet.