Në Gjermani hyn me 1 mars në fuqi Ligji i ri për imigrimin e fuqisë së kualifikuar punëtore nga shtetet jo anëtare të Bashkimit Evropian (vendet e treta). Ja rregullat e reja të punësimit.

Më 01.03.2020 hyjnë në fuqi rregullat e reja për imigrimin e fuqisë punëtore të kualifikuar në Gjermani. Ky Ligj krijon mundësi të reja për punësimin e punonjësve me kualifikime dhe profesione të ardhura nga vendet jo anëtare të BE-së për të punuar në Gjermani.

Ligji i ri – çfarë ndryshon?
Ligji i ri i imigrimit u mundëson punëtorëve të kualifikuar dhe personave me
shkollim të lartë nga vendet e treta (pra jashtë Bashkimit Evropian, ku bëjnë pjesë edhe Kosova dhe Shqipëria) të emigrojnë më lehtë në Gjermani.

Përcaktimet ligjore ekzistuese për punonjës të kualifikuar me diplomë të shkollës së lartë/universitare vazhdojnë të mbeten të vlefshme.

Personat që duan të kërkojnë punë apo duan të fillojnë punë në Gjermani, ende kanë nevojë për pajisje me vizë. Aplikimi bëhet në Ambasadën gjermane në Prishtinë, Tiranë, Shkup… pra në vendet e origjinës.

Për personat që nuk kanë kualifikimin e mjaftueshëm apo nuk kanë ndonjë kualifikim profesional, vlejnë rregullat e njëjta si më parë. Pra nuk përfshihen me rregullat e reja.

Kush konsiderohet fuqi e kualifikuar punëtore?
Fuqi e kualifikuar punëtore konsiderohen personat me diploma univeristare si dhe personat me kualifikime profesionale që njihen në Gjermani. Diplomë profesionale duhet të nostrifikohen, pra verifikohen, në Gjermani. Në Bonn të Gjermanisë është hapur një qendër e cila jep informacione se në cilat vende mund të bëhet vlerësimi i diplomës. Linku i Qendres:

https://www.anerkennung-in-deutschland.de/html/de/zentrale-servicestelle
Çfarë nevojitet për të kërkuar vizë për personat e kualifikuar?
Për gjetjen e një vendi pune sipas Ligjit të ri nuk mjafton vetëm kontrata e punës, por edhe njohja e diplomës. Kur të njihet diploma apo kualifikimi, atëherë mund të paraqitet kërkesa për vizë.

Së pari duhet të bëhet pra njohja zyrtare, verifikimi, i kualifikimit tuaj nga autoritetet përkatëse në Gjermani.

Informacionet për procedurën mund t’i gjeni në linkun:

www.anerkennung-in-deutschland.de

Kjo procedurë duhet të fillohet sa më parë, nëse dikush dëshiron të gjejë vend pune në Gjermani. Procedura mund të fillojë menjëherë.

Për vizë pune mund të aplikoni pas njohjes së kuaifikimit tuaj dhe pas gjetjes së një oferte për punë në Gjermani.

Kjo procedurë vlenë për fuqinë e kualifikuar punëtore. Ndërsa për veprimtaritë ndihmëse apo për personat që duan të mësojnë ndonjë profesion – nuk vlenë.

Njohja e diplomës apo kualifikimit nuk është e nevojshme, nëse një preson ka kualifikim dyvjeçar në Gjermani, apo nëse ka një diplomë universitare të lëshuar nga një shkolle/universitet gjerman.

Me ligjin e ri, personat mund të shkojnë në Gjermani dhe gjashtë muaj të kërkojnë punë. Kusht është njohja e gjuhës dhe diplomat përkatëse. Nuk ka mundësi për ndihma sociale.

Procedura për viza në Ambasadën gjermane
Viza mund të kërkohen prej datës 1 Mars 2020.

Terminet sipas procedurës së re mund të caktohen vetëm nëse e keni kryer procedurën e njohjes së diplomës apo kualifikimit profesional.

Në këtë rast, terminin duhet të caktoni në linkun e Ambasadës (www.pristina.diplo.de/termin) në kategorinë „Viza të tjera nacionale“.

Informacionet për terminet i merrni në faqen e internetit të ambasadës përkatëse. Aty mund të gjeni edh e informata të tjera lidhur me procedurat e vizave.

Procedurat për njohjen e diplomave në Gjermani mund të marrin disa muaj, ndaj rekomandohet që procedurat të fillojnë menjëherë.

Rregullat për “Ballkanin Perëndimor“
Deri tani sipas rregullave për fuqi punëtore nga Ballkani Perëndimor është kërkuar vetëm një kontratë pune, për të marrë vizë pune në ambasadë.

Sipas rregullave të reja, kërkohet një ofertë për punë, por edhe njohja e diplomës nga autoritetet gjermane. Rregullat për fuqi punëtore nga Ballkani Perëndimor vlejnë ende, por terminet sipas këtyre rregullave edhe më tej priten zakonisht më gjatë se një vit.

Në verë pritet të merret një vendim i ri që prek rregullat e fuqisë punëtore nga Ballkani Perëndimor. (ABC-CONSULTING)