Shqipëria ka qenë trekëndëshi i Bermudës për çekët. Vetëm në 5 vjeçarin e fundit, dhjetëra turistë çekë kanë humbur jetën, janë vrarë, zhdukur, plagosur, apo aksidentuar. Kësaj here të tjerë çekë do të vijnë në Shqipëri, por jo për qëllime turistike. Policia e Shtetit ka njoftuar bashkëpunimin me Policinë Rrugore Çeke.
Në muajt në vijim, disa akse kryesore në Shqipëri do të patrullohen nga dy autovetura ‘çeke’, të pa- uniformuara, por të mirë- pajisura. Sipas njoftimit të Policisë, mjetet janë të pajisura me radarë, sistem identifikimi të targave, lexim automatik, identifikues të përdorimit të celularit gjatë drejtimit të mjetit, etj.
“Patrullat e Policisë çeke kanë ardhur në Shqipëri në kuadër të shkëmbimit të eksperiencave në monitorimin e shkeljeve në rrugë, duke nisur me testet e shkeljeve në drejtim të tejkalimit të shpejtësisë” shkruan Policia në njoftimin zyrtar.
Nisur nga njoftimi i bërë, në muajt në vijim, edhe patrullat shqiptare do të shkojnë në Çeki. Në fakt, bashkëpunimet e Policisë me homologë të jashtëm nuk janë të reja. Përgjatë sezonit veror, në Shqipëri ka pasur policë të ardhur nga Kosova ose nga Italia.
Jenida Vladi