Regjistrohet rasti i parë i variantit të ri të koronavirusit britanik në Maqedoninë e Veriut. Bëhet fjalë për një 46-vjeçar nga Shkupi, ndërsa tashmë ai është shëruar. Ky fakt u bë i ditur nga Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe. Virusi u zbulua në spital gjatë analizës së mostrave nga janari. Ai gjatë anketimit ka thënë se nuk ka pasur asnjë kontakt, e as që ka udhëtuar jashtë Maqedonisë së Veriut.

“Pacienti iu nënshtrua një testi të shpejtë për herë të parë në 29.12.2020, për shkak të etheve dhe gulçimit. Testi ishte pozitiv. Disa ditë më vonë, më 04.01.2021, ai u paraqit për një ekzaminim në spitalin privat “Zhan Mitrev”, ku iu nënshtrua një testi PCR i cili ishte pozitiv dhe pacienti u shtrua menjëherë në spitalin privat. Më 15 janar, pacienti bëri dhe një test të tretë që po ashtu rezultoi pozitiv”, thuhet në raportin e Institutit të Shëndetit Publik. Në bazën e të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, pacienti eshte shëruar ne 22 janar.

Maqedonia e Veriut regjistroi sot 9 viktima me COVID-19 si dhe 394 të infektuar, ndërsa të shëruar kanë rezultuar 387 persona. Që nga paraqitja e rastit të parë me COVID-19 janë diagnostikuar 91.555 persona, prej tyre 2.821 kanë vdekur, 80.008 janë shëruar ndërsa 8.726 raste janë ende aktive.