Mbi negociatat Shqipëri – Greqi për çështjen e Detit Jon:
1. Në vitin 2010, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e hodhi poshtë marrëveshjen e vitit 2009, dhe negociatat rinisën në vitin 2018. Negociatat e reja prodhuan një draft marrëveshje në po atë vit, e cila nuk u bë kurrë publike. Ekzistenca e kësaj draft marrëveshjeje është bërë e ditur nga ish ministri i jashtëm i Greqisë, Kocias, në disa deklarata publike. Kjo mungesë transparence është në kundërshtim edhe me pretendimin e Partisë Socialiste në ankesën e dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë, ku pretendonte, në atë kohë, se për negociata të tilla duhet të ketë transparencë për publikun në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë. Sot KM Rama pretendon publikisht se për të tilla negociata nuk nevojitet transparencë. Draft marrëveshja e vitit 2018 vazhdon të mbahet sekrete.
2. Për zgjerimin e Greqisë nga 6 milje detare (md) në 12 md në Detin Egje, Turqia kundërshton duke deklaruar se e konsideron këtë një akt lufte.
3. Për zgjerimin e Greqisë nga 6md në 12md në Detin Jon, KM Rama dhe përfaqësues të institucioneve të Shqipërisë janë deklaruar se Greqia është në të drejtën e saj, duke bërë paralelizëm edhe me depozitimin që Shqipëria ka bërë në OKB në vitin 1990. Çfarë nuk thonë përfaqësuesit tanë është se më herët, para vitit 1990, Shqipëria e kishte zgjerimin e ujërave territorialë 15md, bazuar mbi dekretin e vitit 1976. Pra, në vitin 1990 Shqipëria i ngushtoi kufijtë detarë me 3md, nga 15md në 12md. Në vitin 2020, pas shumë dekadash, Greqia synon t’i zgjerojë kufijtë detarë në Detin Jon, nga 6md në 12md.
4. Qeveria e Greqisë e bazon zgjerimin në 12md mbi Nenin 3 të “Konventës mbi të drejtën e detit” të OKB-së. Qeveria e Shqipërisë e mbështet këtë pretendim të Greqisë, edhe pse ai nuk është zbatuar kurrë më parë nga Greqia. Konventa, në nenet e tjera të saj, parimet e së drejtës ndërkombëtare, dhe vetë praktika e aplikimit të saj, dëshmon se dheu kontinental (në këtë rast i Shqipërisë) merr përparësi ndaj dheut
ishullor (në këtë rast të Greqisë) sa u takon projeksioneve të hapësirave përkatëse detare. Pretendimi se Greqia ka të njëjtat të drejta si Shqipëria për zgjerim me 12md në Detin Jon nuk qëndron.
5. Me barazimin e padrejtë të efektit të ishujve grekë me efektin e dheut kontinental shqiptar për ujërat territorialë, dhe me njohjen e qeverisë shqiptare të këtij barazimi, negociata ndryshojnë që në pikënisje në favor të Greqisë, dhe humbja e territorit detar për Shqipërinë bëhet e pashmangshme, me humbje edhe në hapësirën ajrore, delimitimin e raftit kontinental dhe zonës ekskluzive ekonomike.
6. KM Rama pretendon se nuk ka marrëveshje të fshehtë, dhe në fakt tani gjërat po bëhen hapur. Marrëveshja tani është bërë publike: Micotaqis e shpall zgjerimin me 12md, Rama e pranon. Ndërsa draft marrëveshja e vitit 2018 mbetet e fshehtë.
7. Në vend që ta pranojë këtë urdhërdhënie nga Greqia në dëm të territorit detar shqiptar, Shqipëria do duhet ta çonte çështjen në një forum gjyqësor ndërkombëtar./Boiken Abazi/