Mbi shpifjen
Grenelli e Buzhala nuk më paskan harruar, paskan vendosur me u hakmarrë:

Në shkurt dhe mars 2020 u bëra thirrje shqiptarëve që, nën qëndrimin: “Po Amerikës! Jo Grenellit!”, të shfaqin masivisht e publikisht protestën e tyre kundër presionit të Grenellit që Kosova t’i bashkëngjitet “ekonomikisht” dhe vullnetarisht Serbisë. Meqë isha i pari me thirrjen e tillë, “buzhalët” i kërkonin LV-së të më përjashtojë nga anëtarësia e saj. Në rast të kundërt kërcenonin se “kësaj here e kishin votuar (LV-në), por nuk do ta votonin më”, se “ishin anëtarësuar në LV, por do të çantarësoheshin”!

Sapo u shpall lista e kandidatëve të LV-së për deputet, parmbrëmë zëdhënësi i Grenellit, Berat Buzhala në T7, dje gazeta “Ekspress”, sot kushedi cila medie, i kushtuan pjesën kryesore luftës kundër meje si kandidat dhe, çka është më e tmerrshme për ta, si deputet i mundshëm në Kuvendin e Kosovës.

Grenellët e buzhalët e kanë të lehtë me fitu kundër meje:
1. Atyre u duhet veç me shpif, mua më duhet që, më shumë se për veten, me reflektu e me mendu mbi bazën e fakteve, për vendin, kombin (e njerëzoren);

Prandaj nuk kam marrë mundimin me i përgënjeshtru kur kanë shpifur për mua si person në zgjedhjet e kaluara, herë duke më nxjerrë në dyluftim vetë Skënderbeun, siç e nxirrte, sipas Barletit, vetë sulltani dikur në dylufitme me bajlozët, herë duke më vënë në krah Enver Hoxhën.
2. Përgjegjësia e përgënjeshtrimit më shumë sesa mua i përket vetë konsumatorit të shpifjes. Kjo përgjegjësi i ngarkohet secilit nga detyra origjinore morale e njeriut me jetu sipas së vërtetës. Personi për të cilin shpifet nuk e ka në këtë masë përgjegjësinë, sepse shpifet edhe kundër personave të vdekur vite a shekuj më parë dhe që, pra, as nuk mund të përgënjeshtrojnë më.
3. Shpifja nuk mund të hidhet poshtë nga viktima e tyre, përsa vetë marrësi (receptuesi) i shpifjes nuk e kontrollon vërtetësinë e pohimeve:
Nëse unë thjesht e përgënjeshtroj shpifjen me deklaratën se është shpifje, i treti s’ka pse ta marrë për të vërtetë as shpifjen as përgënjeshtrimin tim, pa i kontrolluar vetë. Dhe pak konsumatorë të medias i kontrollojnë vetë pohimet e publikuara në të.

Ndërkaq, cilido që e dëgjon apo e lexon shpifjen dhe e pranon atë, ka pranuar faktin e rremë, mosfaktin. Mirëpo, i kërkohet përgënjeshtruesit të paraqesë faktin e mosfaktit. Gënjeshtra ka veç të keqes morale edhe një të keqe ekonomike. Kërkon punë të kotë e të dyfishtë. Pra një herë gënjeshtra, pastaj të vërtetohet që është gënjeshtër. Nuk shtohte asnjë e vrëtetë në rendin publik, por shkojmë përsëri te zero. Në gjuhë teknike mund të thuhet: të vërtetohet qenia e mosqenies së atij fakti! Çdo filozof e di sa e vështirë është, në mos e pamundur, të paraqiten empirikisht dhe madje konceptualisht ata që njihen me emërtimin “entitete negativë”. Por falë kësaj ekonomie negative janë bërë të pasur tipat buzhalë.
Në këtë rast, buzhalët që prodhojnë shpifjen nuk humbin gjë. Ata fitojnë duke shpifur. Pësuesi i shpifjes humb, por jo në rastin tim. Problemi është publiku që pranon shpifjen. Ai është viktima e vërtetë, është ai marrësi i shpifjes, i dëmtuari prej shpifjes, në gjykimin e vet. Ai jeton në të pavërtetën e besimeve të veta të pakonfirmuara. Ndërkohë, i lejoj vetes të jem disi cinik: unë mund të jem i qetë teksa shoh sesi ata që besojnë në buzhalët jetojnë në iluzione, bëjnë jetë të mashtruar, gabojnë, por edhe e çojnë vendin në theqafje. Pra, nuk jam unë që humbas diçka, por ata që dëgjojnë ende buzhalët. Edhe ky pak shkrim në lidhje me temën e shpifjes, nuk është për mbrojtjen time, por për mbrojtjen e publikut dhe të vërtetës.
4. Konsumatorët e shpifjes mund t’i ndihmoj vetëm duke i njohur me një ndër teknikat më të shpeshta të shpifjes: titulli i “lajmit”. Sa dihet nga studimet e specializuara për median, ashtu dhe nga studimet e mi, për aq sa më është dashur të merrem me të, rëndom në medie shpifës i parë dhe më i fuqishëm është titulli dhe nëntitulli i shkrimit, ndërsa vetë përmbatja e shkrimit shpesh mbetet më korrekte.

Shembull titulli:
Feraj: “Skënderbeu kreu krime ndaj shqiptarëve, e jo Perandoria Osmane”.
Në vetë shkrimin nuk citohet të kem thënë as njërën as tjetrën. Përkundrazi, citati që jepet është ilustrim i kritikës time (dhe këtë nuk e kanë cituar) pikërisht ndaj atyre që sot e keqpërdorin Skënderbeun, më sakt që i keqpërdorin pohimet e historianëve dhe çka mund të merren si burime historiogafikë për Skënderbeun. Ndër të tjera, kam qortuar keqpërdorimin e sotëm për nxitjen e konfliketve dhe urrjetjeve fetare mes shqiptarëve: fiks siç bën Buzhala dhe siç bëri media në Kosovë në fushatën e saj të nxitjes së urrejtjes fetare kundër meje, veçanërisht gjatë fushatës time elektorale. Artikulli im i atëhershëm analizon mundësitë e keqpërdorimit të sotëm politik të Skënderbeut e të historiografisë. Pikërsht këtë keqpërdorim e kryen, duke e vërtetuar pohimin tim, buzhalët.

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress
Mes shumë të tjerëve, keqpërdorimi politikisht i fesë, si përgjigje në pyetjen: a mund të gjenden burime dhe historianë që e thonë masakrën e Skënderbeut ndaj myslimanëve të Krujës? Po: që nga Barleti, Franc Babingeri e deri te Stavro Skendi, profesor në Columbia University të SHBA-ve, dhe të tjerë. A duhen pëdorë pohimet e historianëve për thirrjet e stome “të kthehemi te feja e të parëve”, ose vetë “heroi i ynë, Skënderbeu, ka qenë mbrojtës i krishterimit (katolik)”? Jo, përgjigjem unë. Jo ngaqë, sipas qejfit, nuk gjejmë pohime historianësh të famshëm te të cilët gjejmë mbështetje për thirrjet e sotme, por sepse nuk duhet të duam as nxitjen e sotme të përçarjeve fetare, as fetarizimin e politikës së sotme, as politizimin e sotëm të fesë. Pandaj artikulli qysh në parashtrimet e mi sqaron: “argumentet e paraqitura në debat nuk janë të miat, janë të shpërndara nëpër autorë të ndryshëm”. Dhe në përmbyllje sqaron: nga përdorimet e Skënderbeut “më tepër gjykohen prirjet politike të përdoruesve, se sa vetë Skënderbeu”. Në studimin tim të diskurit shqiptar nuk kritikohet as Skënderbeu, madje as historianët, por kritikohen keqpërdoruesit e Skënderbeut, buzhalët e sotëm, të mundshëm dhe realë.
Çka të them për “enverizmin” tim?
Dyzet vjet më parë, si shumë të tjerë, SUP-i, vijuesi i UDB-së, më përndoqi për irredentist “enverist” në vitet ’70-80. Tani dyzet vite më vonë vijon t’më përndjekë për “eneverist” Berat Buzhala. Megjthëse, siç doli në realitet, atëherë nuk paskam qenë enverist sepse nuk e njihja, dhe tani realisht nuk jam sepse e njoh. Atëherë më ndiqnin për t’më linçuar fizikisht policia politike serbe me emra të ndryshëm, tani po për mendimin politik më ndjekin buzhalët me emra të ndryshëm. Atëherë dhe tani sepse isha kundër shovinizmit serb. E nëse mes shqiptarëve ka ende që e duan e vijimësinë e përndjekjes nga UDB te SUP, dhe nga SUP-i te buzhalët, kjo është keq për ta dhe për kombin, ndërsa unë do të jemë kundër tyre pavarësisht numrit që arrijnë dhe pasojave që kam. Dhe janë këta që mund ta gëlltisin helmin e buzhalëve.
Gjithsesi, buzhalët duhet të zgjidhin edhe mospajtimin me bashkëveprimtarët e tyre brenda kombit tonë. Sepse në Shqipëri edhe vetë të djathtët më kanë përshkruar për “i djathtë ekstrem”, ndërsa buzhalët në Kosovë duan të më përshkrujanë për “i majtë ekstrem”! Sepse për ta rëndësi nuk ka vërtetësia, por vetëm mjegullimi i saj rreth meje. Për gënjeshtrën mund të thuash edhe dy versione të kundërt. Kjo është përparësia e gënjeshtrës dhe etiketimeve të rreme.
5. Atyre, grenellëve e buzhalëve, nuk u mungojnë “faktet”, sepse sa herë u mungojnë i krijojnë aty për aty, në një zinxhir të pafund:
Nëse shpifësi thotë se Hysamedini është shtatzënë, unë mund ta hedh poshtë duke marrë një vërtetim nga gjenokologu për të kundërtën. Mirëpo shpifësi mund të thotë se vërtetimin e kam falls, sepse e kam paguar gjenokologun. Unë mund të përpiqem ta hedh poshtë duke i i kërkuar prokurorisë ta hetojë vërtetësinë e vërtetimit të gjenokologut. Mirëpo kur hetuesi ma jep vërtetimin mbas shumë kohësh, shpifësi mund të thotë se tani e kam paguar prokurorin. Më mbetet të kërkojë që prokuroria të hetojë prokurorinë… Dhe kështu, zinxhiri i shpifjes shtrihet pafundësisht, deri aty ku e ndal vetëm paaftësia trilluese e imagjinatës krijuese. Me këtë pafundësi, sido që të mbyllet, shpifësi tashmë e ka fituar betejën. Dhe kjo ngaqë një gënjeshtar si buzhalët gjen gjithnjë njerëz që janë të prirur të besojnë gënjeshtrën më mirë se të ndryshojnë qëndrim. Sepse nëse këta njerëz ndryshojnë qëndrim, duhet t’i pranojnë vetes se deri në këtë çast kanë qenë gabim. Kjo është shumë e vështirë. Krenaria e kotë e atij që e pranon shpifjen është rezultati i llogarisë së thjeshtë: a të pranoj se e kam patur gabim deri këtu, apo të ndryshoj. Si mund ta pranoj që kam qenë për vite të tërë në gabim. Kështu që më mirë po besoj gënjeshtrën e buzhalëve. Kështu buzhalët i kanë fituar betejat deri tani dhe kanë sunduar për 20 vite, me rrjedhojë: “Kosova është vendi më i prapambetur dhe më i mjerë në Europë e në rajon”. Gënjeshtrat e buzhalëve pra janë vetëm humbje kohe për shoqërinë, por jo dëmtim për mua. Mendimet e mia i kanë lexuar plot të tjerë, buzhalën e dëgjojnë ata që nuk duan të lexojnë vetë.
Unë jam studiues, dhe si i tillë më duhet me i mbledhë faktet, me i përpunu sipas kërkesave komplekse, më duhet t’ua nënshtroj ata reflektimit filozofik, gjithnjë në tri kohë, për të kaluarën, të tashmen e të ardhmen shqiptare. Kjo merr kohë, siç i merr kujtdo që përpiqet të krijojë besimin e vet për çka është dhe çka nuk është e vërtetë mes fakteve dhe pohimeve kundërthënës. Pra, besimi i shpifjes është më së pari përtaci e atyre që e dëgjojnë dhe e lexojnë.
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress
6. Fatkeqësisht media e Kosovës, e tipit Buzhala-Haxhiu, e zë vendin e parë për rrena e shpifje. Këtë e kanë shpallur botërisht studimet për institucionet vendimmarrëse të BE-së dhe Federata Europiane e Gazetarisë (EFJ). Në krye të shpifjeve qëndron AGK. Sepse në vend se t’iu tërheq vëmendjen dhe t’i ndëshkojë gazetarët dhe pronarët e medieve, në prill 2020 AGK i mori në mbrojtje shpifjet kundër “linçimit” të tyre nga unë! I mbetet AKG-së të shpjegoj se si unë, thjesht qytetar pa asnjë pushtet veç pushtetit të argumentit, mund t’i linçojë ata që kanë të gjithë llojet e pushtetit: mbështetjen e qeverisë e të partive në pushtet, si mund të linçojë ata që kanë kapital financiar, paisje teknike e personel të madh njerëzor për të ushtruar linçimin
kundër meje, siç e kanë bërë vazhdimisht. Por, s’kemi ç’bëjëm një herë për njëherë. Kjo është shoqata AGK.
7. Në fund, me asgjë nuk mund t’i ndihmoj mazohistët, ata që duan me i shkaktu vetes dhimbje duke besuar rrena e, rrjedhimisht, duke bërë jetë të rrejshme në vend të jetës së mirë dhe në mirëqenie reale. Ata le të besojnë në grenellët e buzhalët, dhe do ta bëjnë jetën e mjerë bashkë me mjerimin e gjithë shoqërisë së populluar prej tyre. Le t’i besojnë mediet e buzhalëve, dhe do t’ë shpikin në kokat e tyre se forcat amerikane do të tërhiqen brenda javës, ndërsa në javën në vazhdim do të na pushtojë Serbia. Marrësit e shpifjes veç krena brenda gënjeshtrës, përtac brenda dijes, qenkan të aftë edhe t’i kallin tmerrin vetes. Terroristë të vetvetes. – edhe kjo frazë e fundit e ka burimin te Kanti. Nuk është e imja. Pra, nëse gjeni ndonjë titull: Feraj akuzon qytetarët se janë terroristë, është mirë të dini se ky ëshët mendimi i buzhalëve dhe jo i imi.

Shënim: “Buzhala” është po ashtu mbiemër familjesh, mes tyre shumë të ndershëm e të nderuar. Përdorimi nga unë i “buzhalët” nuk ka kuptimin e atij mbiemri, por vetëm të cilësorit përgjithësues për një cilësi negative të medias, ku Berat Buzhala kontribon shumë për me ia dhënë ata cilësi. Edhe në këtë rast, njerëzve të ndryshëm me këtë mbiemër, asnjë e keqë nuk i vjen nga unë, por nga gazetari në fjalë./Hysamedin Feraj/