Më mirë “kurvë” se rob

Sead Zimeri

A është feminizmi kundër burrave? Nuk është plotësisht e qartë çdo të thotë të jesh kundër burrave, sepse vetë ekzistenca e lëvizjeve të këtilla shoqërore-politike është kundër ndonjë dukurie që i ka detyruar të organizohen në lëvizje dhe filozofi të tilla. Kundër burrave pra duhet të kualifikohet në mënyrë më precize në kontekst dhe kuadër të qëllimit të këtyre lëvizjeve.

Nëse me burrë kuptohet njeriu si qenie fizike, gjinia me penis që dallohet nga gjinia me vaginë, feminizmi nuk është kundër burrit. Ata që thonë të kundërtën bëjnë shpifje të bazuar në injorancë të plotë. Këta të fundit ndoshta janë grupi i burrave që feminizmi është kundër.

Feminizmi është kundër burrave që shtypin gratë vetëm e vetëm për shkak të identitetit të tyre gjinor. Këta burra janë armiq të lirisë dhe emancipimit të gruas. Këta nuk dëshirojnë që gruaja të bëhet e lirë dhe e barabartë me ta. Këta përdorin çdo mjet perfid për ta nënshtruar gruan: prej shpërndarjes së rrenave për gratë e deri te ngacmimet dhe dhunimet seskuale dhe fizike kundër tyre. Këta burra ushtrojnë dhunë, dhe dallimet mes tyre janë dallime sasiore, jo cilësore: ndonjë e shtyp gruan fizikisht e ndonjë tjetër e arsyeton atë me biologji.

A duhet feminizmi të jetë kundër këtyre burrave dhe kundër çdo burri që e arsyeton dhe mbështet këtë kulturë? Natyrisht që duhet të jetë kundër këtyre burrave, dhe nëse kultura e këtyre burrave është dominante në shoqëri duhet absolutisht të deklarohet kundër kësaj kulture. Dhe jo vetëm feminizmi dhe feministët duhet ta luftojnë këtë kulturë, po çdo burrë që e vlerëson lirinë, barazinë dhe drejtësinë si dhe që e urren dhunën ndaj tyre pavarësisht se si ushtrohet ajo. Një grua që nuk rrebelohet kundër këtyre burrave, kundër kësaj kulture, kundër këtij mentaliteti, kundër seksizmit me një fjalë është grua e komprometuar, grua jo e lirë. Burrat që e mbështesin seksizmin janë seksistë që duhet të emancipohen. Seksizmi është si racizmi: qëndrim i pështirë kundër gruas.

Të jesh pra kundër burrave të këtillë është qendrim fisnik dhe i drejtë, sepse gratë nuk mund të jenë të lira përderisa ato pranojnë dhunën e burrave. Feminizmi si çdo lëvizje tjetër shoqërore dhe politike është kundër dukurive të këtilla që manifestohen në ndonjë grup të njerëzve.

Tani nëse e gjen veten në atë kategori të burrave atëherë mbi ty bie barra e ndryshimit dhe emancipimit. Nëse e lufton kërkesën për barazi gjinore ti je seksist dhe nëse ke sado pak dinjitet duhet të bësh gjithçka që të ndryshosh. Seksizmi nuk të bën nder por të bën dhunues. Nuk ke kurrfarë vlere humane si seksist, prandaj feminizmi është kundër teje. Ti e përkufizon gruan e mirë si grua që të nënshtrohet ty dhe rregullave tua, e kur ajo rrebelohet kundër pushteti tënd ajo bëhet kurvë. Por është pafundësisht më mirë të jesh kurvë se rob.

Ps. Fjala kurvë është përdorur këtu në kuptimin që burrat, disa burra, e përdorin për ta ofenduar gruan. Mund të jetë çdo gjë dhe asgjë. Por nënkuptohet zakonisht sjellja që del jashtë moralit puritan të kontrollit të burrit mbi gruan.