Gëzim Mekuli

Përfaqësuesit politikë, që shfaqen në ekran, tanimë nuk lodhen shumë t’i mbrojnë interesat qytetare e kombëtare në Parlament. Këta aktrojnë tërë ditën për të krijuar pamje të këndshme e tërheqëse mediatike për veten e tyre dhe për partinë e tyre. Duhet pranuar se, në dy vjetët e fundit, tek ne shqiptarët, kemi pasur një mediatizimit të tejskajshëm të politikës.
Pse mendoj kështu?
Mendoj kështu sepse aktorët politikë, duke përfshirë edhe udhëheqësit nëpër organizata joqeveritare (OJQ), u detyruan t’i përshtaten formës dhe përmbajtjes së medieve si dhe mënyrës së tyre të të menduarit. E kjo “përshtatje” u bë vetëm e vetëm për ta fituar vëmendjen në hapësirën publike. Kësisoj medie, veçanërisht televizioni publik “RTK”, arriti dhe mundi të ndikojë e të vendosë në përcaktimin e rregullave të lojës së saj politike.

Veçoria e medies shqipe sot

Nëse dëshironi t’i arrini mediet, atëherë duhet të dini se si ato i hartojnë intervistat, lajmet dhe raportet:
• Mediet përparësi dhe favore po u kushtojnë të veçantës, të pazakontës, titujve të krizës dhe lajmit të bujshëm.
• Ato po theksojnë personat para procesit.
• Ato po thjeshtësojnë politikën dhe po minimizojnë problemet e shoqërisë sonë.
• Ato po dramatizojnë dhe përforcojnë konfliktet brendapërbrenda hapësirës sonë publike. Për shembull për mospajtimet dhe fërkimet e vogla politike, bëhet “bujë”, sepse “mosmarrëveshja“, “konflikti“dhe “ballafaqimi“ politik shkakton më shumë vëmendje në publik, sesa pajtimi, ujdia dhe harmonia.
• Ato po fokusohen kryesisht në “njerëz të famshëm“ dhe në elitat, d. m. th. tek personat në poste kyçe (ose kombeve udhëheqëse si Gjermania, Italia, Franca, Shtetet e Bashkuara por edhe Serbia).
• Mediet po “mjegullojnë“ kufirin në mes argëtimit dhe prezantimin të lajmeve. Shpesh nuk është e lehtë të kuptohet se cili është “lajmi“ e cili ishte “argëtimi”.
• Ato po vënë theksin gjithnjë në rritje mbi intimitetin, personalen dhe privaten.
• Ato prioritet po u japin ndodhive që përcillen nga pamorja: me fotografi emocionale dhe video mbresëlënëse e befasuese.

Media, zot i politikës
Njohësi i medieve Hernes, që në vitin 1985, lansoi “hipotezën e trekëndëshit“. Ai pohoi se mediet kanë tendencë për të sajuar dhe për të paraqitur grupet dhe individët si palë në konflikt, ndërsa ata vetë, pra mediet, paraqiten si palë e tretë dhe, kënaqen me “detyrën e madhe“ për të aranzhuar duele televizive. Kështu, mediet paraqesin vetëm pikëpamjet e një partie, shpesh si një formulim të përkryer. Pastaj, pak më vonë, këto u japin leje edhe palës së kundërt për komente dhe për formulimet e tyre të reja.
Njerëzit që lejohen të kyçen në debat, janë ata që perceptohen si kundërshtarë “të papajtueshëm dhe armiqësor”. Sepse një sherr i hapur mes njerëzve, e vecanërisht i atyre në pozita të larta, ngjallë interes dhe përfshinë shikueshmëri dhe lexueshmëri më të lartë. Fatkeqësisht, në shumë raste mediet shqipe, nuk e kanë redaktuar vetëm “realitetin tonë“ politik, por këto edhe e kanë drejtuar atë, mu sikur ky të ishte një film, ku aktorëve u caktohen role dhe dialogë të ndryshme nga regjisori. Programet ku diskutohet e ku debatohet janë shpesh thjeshtësim dhe përforcim i kundërthënieve në debate, e jo ndihmë për zgjedhje të problemit.

Politika si argëtim
Një numër i madh i politikanëve tanë marrin pjesë në programet humoristike dhe argëtuese nëpër televizione të ndryshme. Është interesant të theksohet se, disa politikanë sot na dalin si të “famshëm” dhe, që kanë audiencë edhe përtej punës së tyre në qeveri dhe parlament. Edhe kur ka trajtime të problemeve të rëndësishme politike, ata zgjedhin të përdorin efekte retorike për të përforcuar vlerën argëtuese të “lajmit“. Për shembull ne kemi debatin dhe fjalorin “argëtues e zhvlerësues“ të kryeministrit Isa Mustafa, drejtuar ish partnerit të tij të “Bllokut”, z. Kurti të Lëvizjes Vetëvendosje!. Mund të themi se, shumë redaktorë të medies shqipe, mund të quhen edhe “redaktorë të programeve humoristike dhe argëtuese.
Ai apo ajo që dëshiron të ketë sukses në politikën e Prishtinës (dhe Tiranës, gjithsesi), duhet së pari të ketë “sukses” në media. Do që të arrish te lexuesi dhe shikuesi shqiptar, atëherë ti duhet të kesh shkëlqimin e duhur, duhet të krijosh besimin, të rrezatosh vetëbesim, energji dhe humor. Për shumëkënd, ky është një akt i vështirë drejtpeshimi. Sepse ti duhet të jesh i “përshtatshëm“ në programet argëtuese televizive, por gjithsesi duhet të “shitesh“ edhe si një politikan serioz e profesional në programet debatuese që organizohen nesër.


Beteja për vëmendjen e medieve, është me të vërtetë, një luftë për të dalë para publikut me “besueshmëri“. Sepse votuesit që të votojnë ty mund të pyesin, a kemi besim te ky njeri apo te kjo grua? Për më tepër “politikanët tanë” e dinë se, ka shumë njerëz që, sot, më me qejf rrinë ulur në shtëpi dhe shikojnë televizionin, sesa njerëz që shkojnë nëpër debate dhe takime partiake. Është më mirë për të takuar 200. 000 votues të mundshëm të rinj nëpërmjet një studio televizive, se të kalosh kohën në një “takim publik” me 27 pjesëmarrës fanatik partiak. Shkurt e shqip, mediet shqipe janë “krijues profesional të realitetit”. Ato po krijojnë një pamje të “realitetit” nëpërmjet “informacionit”, “debatit” dhe “argëtimit” që kjo vet e imponon.

A nuk e kemi “realitetin politik”, të krijuar nga “bashkëpunimi“ media dhe politikë, për Kosovën si shtet unik e i pandarë dhe i “parrezikuar” nga politikat separatiste serbe, të krijuar pas nënshkrimit të marrëveshjes për formimin e bashkësisë serbe në Kosovë?