Reagim lidhur me përfshirjen e emrit të VETËVENDOSJE!-s në sulmin ndaj anëtarit të PDK-së, Jakup Sabedini
Për hir të njoftimit të drejtë të opinionit publik, Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Ferizaj njofton se asnjë aktivist i Lëvizjes nuk është i përfshirë në kurrfarë sulmi ndaj askujt, e as ndaj anëtarit të PDK-së, Jakup Sabedini.
Prandaj lajmi i dalë para pak orësh, për ngatërrim të aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në ndonjë përleshje, jo vetëm që është i pavërtetë, por edhe dashakeq, sepse ka për qëllim njollosjen e emrit të Lëvizjes.
Me këtë rast tërheqim vërejtjen se kërcënimet, dhuna, inskenimet e situatave kanë qenë formë e veprimit të pushtetit të mëparshëm, që fatkeqësisht në qytetin e Ferizajit po vazhdon.
Lëvizja VETËVENDOSJE!, Qendra në Ferizaj e dënon dhunën dhe kërkon nga organet e rendit që ta hetojnë këtë rast dhe kushdo që qëndron pas tij të sillet para përgjegjësisë.
Lëvizja VETËVENDOSJE!
Qendra Ferizaj