Sipas një studimi të ri, njerëzit i ndjekin “pëlqimet” në platforma si Facebook dhe Instagram në të njëjtën mënyrë si minjtë ndjekin ushqimin. Përfundimi, edhe pse mund të duket qesharak, ka dalë nga një studim me mbi një milion postime në mediat sociale nga më shumë se 4 000 përdorues në nfaqe të ndryshme të mediave sociale. Studiuesit e Universitetit të Nju Jorkut zbuluan një korrelacion të drejtpërdrejtë midis asaj se sa shpesh njerëzit postojnë dhe sa shpesh marrin pëlqime.

Është e thjeshtë: Njerëzit postojnë më shumë në rrjetet sociale kur kanë një normë të lartë pëlqimesh dhe ata postojnë më rrallë, kur marrin më pak pëlqime.

Në punimin e botuar në revistën “Nature Communications”, studiuesit zbuluan se sjellja jonë në mediat sociale pasqyron sjelljen e bazuar në shpërblimin e ushqimit, që shohim te minjtë. Më konkretisht, platformat e mediave sociale janë si një “Skinner Box” dixhital – një mjet që shkencëtarët përdorin duke vendosur një mi (ose një kafshë tjetër të vogël) në një kuti dhe më pas, t’i shpërblejë ata me ushqim kur minjtë ndërmarrin veprime specifike (si shtypja e një levë).

Pra, po, ne jemi pak a shumë minj të uritur në një kuti.

Studiuesit shpresojnë që konkluzionet e tyre të na ndihmojë të zhvillojmë sjellje më të shëndetshme në internet dhe të luftojmë efektet e dëmshme të varësisë nga media sociale.

“Këto zbulime mund të na ndihmojnë të kuptojmë pse media sociale dominon jetën e përditshme për shumë njerëz dhe të sigurojë të dhëna, të huazuara nga hulumtimi mbi mësimin e shpërblimit dhe varësisë”, thonë studiuesit.