Mëmëdheu

Mëmëdhe quhetë toka 
ku më ka rënurë koka, 
ku kam dashur mëm’e atë, 
ku më njeh dhe gur’ i thatë 
ku kam pasurë shtëpinë, 
ku kam njohur perëndinë, 
stërgjyshët ku kanë qënë 
dhe varret q’i kanë vënë, 
ku jam rritur me thërrime 
ku kam folur gjuhën time, 
ku kam fis e ku kam farë, 
ku kam qeshur, ku kam qarë, 
ku rroj me gas e me shpres, 
ku kam dëshirë të vdes.

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Andon Zako Çajupi (1866 – 1930)

Ka lindur në Sheper të Zagorisë (Gjirokastër). Në Nivan kreu mësimet gjysmë të mesme, të cilat i plotësoi në një lice francez në Egjipt, ku jetonte i ati. Më 1887, pasi bëri një vizitë në Sheper, që ishte e fundit për të, Çajupi shkoi në Zvicër, atje kreu studimet e larta dhe mori titullin e doktorit të drejtësisë. Në Kajro, ku u vendos për gjithnjë, punoi për një farë kohe si avokat. Nga fundi i shek. XIX mori pjesë gjallërisht në lëvizjen patriotike shqiptare dhe mbajti krahun e saj më të përparuar. Në rrethet e gjera atdhetare u bë i njohur me një artikull që shkroi në kuadrin e diskutimit rreth çështjes së alfabetit në të cilin doli kundër adoptimit të alfabetit grek për gjuhën shqipe. Më 1909 botoi shkrimin e njohur Klubi i Selanikut, një pamflet dërrmues kundër armiqve të brendshëm të lëvizjes kombëtare shqiptare. Patriotizmi i flaktë dhe qëndrimi i prerë ndaj pushtuesve të huaj, e nxorën Çajupi në krye të patriotëve që vepronin në Egjipt. Më 1919 u zgjodh kryetar i shoqërisë “Vëllazëria” me qendër në Kajro. Qe frymëzuesi dhe njëri nga hartuesit e memorandumit që shqiptarët e Egjiptit i dërguan Konferencës së Paqes më 1919 në mbrojtje të tërësisë territoriale të Shqipërisë. Më 1920 themeloi “Shoqërinë e Miqve”, e cila në vitin 1928 e ngriti zërin kundër shpalljes së monarkisë nga Ahmet Zogu.
/MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress