Gjatë një telefonate kancelarja gjermane Angela Merkel i ka kërkuar presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan të ndërpresë menjëherë operacionin ushtarak të Turqisë në Siri.

Sipas referimeve të një zëdhënëseje të qeverisë gjermane, kancelarja Merkel ka thënë se pavarësisht interesave legjitime të sigurisë që ka Turqia, ky operacion po kërcënon zhvendosjen në masë të madhe të popullsisë lokale, po destabilizon rajonin dhe po rrezikon ringjalljen e grupit militant të Shteti Islamik.

Kjo kërkesë e kancelares gjermane ndaj presidentit turk i bashkohet asaj të NATO-s dy ditë më parë.

Turqia e ka nisur ofensivën në verilindje të Sirisë pesë ditë më parë, me qëllim krijimin e një “zone të sigurt” pa praninë e forcave militare kurde që ajo i konsideron terroriste dhe krijimin e një zonë të përshtatshme për strehimin e një pjese të migrantëve sirianë që ndodhen në Turqi.

Vendet perëndimore u shqetësuan nga ky vendim, pas tërheqjes së SHBA nga kjo zonë, pasi një numër i madh luftëtarësh të Shtetit Islamik dhe të afërmit e tyre ndodhen në burgjet dhe kampet e vëzhguara mga militantët kurdë.

Në fakt ditën e sotme u raportua se të paktën 100 persona kanë ikur nga një kamp në verilindje të Sirisë, ndërsa sipas militantëve kurdë kjo shifër është 800.

Për më tepër, sipas raportimeve të Kombeve të Bashkuara, rreth 130 mijë banorë janë zhvendosur pas përshkallëzimit të dhunës në këtë zonë.