Në fjalimin e saj të Vitit të Ri drejtuar kombit gjerman, kancelarja Angela Merkel tha se viti 2020 ishte më i vështiri gjatë udhëheqjes së saj 15-vjeçare. Megjithatë sipas saj, fillimi i vaksinimeve kundër COVID-19 e bën vitin 2021 një vit shprese. Merkel tha se ajo do të vaksinohej kur vaksina të jetë gjerësisht e disponueshme.

“Më lejoni t’ju them diçka personale në përfundim: brenda nëntë muajsh do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare dhe unë nuk do të kandidoj përsëri”, ka thënë Merkel. Ajo shtoi: “Unë mendoj se nuk po e ekzagjeroj kur them se: asnjëherë në 15 vitet e fundit nuk kemi mbyllur një vit më kaq probleme dhe shqetësime, por kemi shpresa për  vitin e ri që po vjen”.

Mandati i katërt dhe i fundit i Merkel u shënua nga pakënaqësia brenda konservatorëve pas humbjeve në zgjedhjet rajonale të cilat shumë fajësuan vendimin e saj për të mirëpritur më shumë se një milion azilkërkues në 2015.