Mikroplastika është kudo, nga trupat tanë e deri në fund të oqeanit! Por kërkimet e fundit tregojnë se ka arritur edhe më thellë. Mikroplastikë është gjetur edhe në shtresat e sedimentit që datojnë qysh në gjysmën e parë të viteve 1700, çka provon aftësinë shkatërruese të mikroplastikës për të depërtuar edhe në mjedise të paprekura nga njerëzit modernë.

Konkluzioni u arrit pasi një ekip studiuesish evropianë studioi shtresat e sedimentit në tre liqene në Letoni. Grimcat e mikroplastikës u gjetën rastësisht ndërsa sedimentet e liqenit po testoheshin për të përcaktuar prania e saj do të ishte një tregues i besueshëm për fillimin e epokës antropocene (1950).

Shkencëtarët kanë përdorur prej kohësh shtresa hiri ose akulli për të studiuar ngjarjet e kaluara në Tokë. Kjo ka ngritur pyetjen nëse mikroplastika mund të shërbejë si një shënues i besueshëm kronologjik për Antropocenin.

Por në rastin e liqeneve në Letoni, mikroplastika u gjet në çdo shtresë sedimenti, mes të cilave edhe ajo e vitit 1733.

Përveçse arriti në përfundimin se mikroplastika është një shënues i dobët i moshës gjeologjike, studimi i botuar në Science Advances tregoi aftësinë e jashtëzakonshme të mikroplastikës për të arritur absolutisht kudo.

As Antartika, rajoni më i largët në planetin tonë, nuk është imun. Shkencëtarët kanë gjetur mikroplastikë në disa mostra bore, të cilat sipas të gjitha gjasave kanë mbërritur atje nga era.