Lulzim Basha është kryetar i Partisë Demokratike. E thënë me standardin ku u katandis diskutimi politik, Lulzim Basha është pronari i vulës së PD-së. Ai përfaqësohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ka deputetë e kështu me radhë.

Situata nuk është politike që të ulesh e ta analizosh. Është një lloj autizmi i vetëdijshëm politik që të kujton sa Aleks Xinxën që i kishin vjedhur bazën materiale, aq edhe Shkëlqim Metën e PS-së që kandidonte përherë për kryetar partie. Ndryshon emri: quhet Lulzim Basha. Ka marrë 18 mijë vota, por thonë. Pas numërimit me dyer të mbyllura.

Mirëpo në këtë rast votat nuk kanë rëndësi, pasi ajo që ndodhi është se z. Basha vuri kanaçen në radhë. Ka tri parti, jam edhe unë e katërta. Në mos do rrjedhë, do pikojë. Të drejtën e selisë, vulës dhe fondeve i ka ky subjekt. Dhe këtu lodra e karagjozit bëhet disi më serioze sepse një shumicë parlamentare dhe një kryeministër që manovron në këtë mënyrë me opozitën, është në subversion të pastër ndaj sistemit. Të bësh sikur nuk kupton, sikur nuk ke përgjegjësi, nuk të shpëton nga përgjegjësia.

Një zot e di se çfarë përfaqëson Lulzim Basha. Ajo që dihet është se publikisht një bufon i rilindur ka hipotekuar një sigël dhe disa ambiente për të pretenduar se është opozita.  Në arratisje të plotë të logjikës politike dhe arsyetimit të shëndoshë. Pasi nëse z. Basha ka një mision siç pretendon edhe përmes një libri të vetit, atëherë asgjë nuk do ta ndalte atë edhe në krijimin e një force të re politike, në vend se të luftonte për vulën e një partie të vjetër, shumica e së cilës nuk e do. Cilidoqoftë emri që do t’i vihet kësaj që ndodhi, sot ka dy PD, në mos tri: njëra me vulë, seli, deputetë dhe pa anëtarë, dy të tjerat me anëtarë e deputetë, por pa asgjë tjetër.

s.zaimi