Shefja e Misionit të Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në Kosovë (EOM), Nathalie Loiseau, anëtare e Parlamentit Evropian, ka thënë se deklaratat e emisarit të Administratës Trump për Misione të Posaçme, Richard Grenell, janë ndërhyrje të cilat mund të vlerësohen si diçka jodiplomatike.

Në adresimin për media të martën, Loiseau ka deklaruar se duhet të ketë transparencë të plotë për ato që nuk po shkojnë si duhet, teksa ka folur për vështirësitë gjatë fazës së numërimit.

“Dua të përgëzoj votuesit që morën pjesë në këto zgjedhje historike pas një mandati të plotë. Këto janë zgjedhjet e para pas ndryshimeve të ligjit në të cilin ka pasur rekomandime të BE-së. Në përgjithësi dita e zgjedhjeve ishte e qetë. Fazat kritike të procesit zgjedhor ende mbeten për tu përfunduar. Vështirësitë janë bërë të dukshme gjatë fazës së numërimit. KQZ-ja ka pasur sfida gjatë punësimit, trajnimit dhe prokurimit. Duhet të ketë transparencë të plotë për ato gjëra që nuk po shkojnë si duhet dhe pse”, ka thënë ai.

Ajo tutje ka shprehur shqetësim edhe për gjuhën e përdorur nga partia që ka qenë në pushtet deri tani. 

“Kemi vërejtur me brengosje gjuhën negative nga partia në pushtet ndaj medias. Transmetuesit kanë dhënë kohë të barabartë për të gjitha partitë. Transmetuesi publik ka mundur të kontribuojë më shumë me komunitetet. Fushata në komunat me shumicë serbe ishte më e përmbajtur se në komuna tjera. Kemi pasur ndërhyrje nga Grenelli që kritikoi kryeministrin Kurti, kjo mund të vlerësohet si diçka jodiplomatike”, ka thënë ajo.

Ajo ka shtuar se trupat zgjedhore duhet të mbesin të pavarura nga ndikimet politike.

“…por ne kemi parë raste të politizimit të KQZ-së”, ka shtuar ajo. 

Edhe Marta Temido nga Parlamenti Evropian ka thënë se dështimi për të garantuar publikim me kohë të rezultateve zgjedhore është për keqardhje. 

Temido ka thënë se përdorimi i gjuhës nxitëse ndaj kundërshtarëve është shqetësues. 

“Përdorimi i gjuhës negative dhe nxitëse ndaj kundërshtarëve është shqetësues. Neve na vjen keq për bojkotimin e mediumeve kryesore private nga partia në pushtet”, ka thënë ajo. 

Sipas saj, ndërhyrja e autoriteteve të Serbisë për të mbështetur një nga gjashtë partitë është shqetësuese. 

“Ne kuptojmë se autoritet e Serbisë kanë ndërhyrë seriozisht duke mbështetur një nga 6 partitë, disa kanë raportuar presion. Mungesa e pluralizmit politik tek komuniteti serb nuk është e shëndoshë”, ka thënë ajo.

By